Duke konsideruar se demokratizimi i partive politike është në interes të funksionimit të sistemit të demokracisë në tërësi, se partitë politike në Kosovë në masë të madhe financohen nga buxheti i shtetit, dhe se veprimtaria e tyre duhet të zhvillohet në mënyrë publike dhe transparente, Albert Krasniqi hulumtues në KDI, ka treguar se kjo organizatë ka kërkuar nga LDK’ja t’i akreditojë për vëzhgim të zgjedhjeve.
Por partia e Isa Mustafës këtë gjë nuk e ka lejuar.
“Sot, në kohën kur po fillonte punimet Kuvendi Zgjedhor, kemi provuar sërish të përcjellim nga afër zhvillimet, por së bashku me përfaqësuesit e mediave nuk jemi lejuar të hyjmë në sallë. Ky veprim ishte vetëm paralajmërim i ngjarjeve që do të pasoni, në tentim që gjithçka të mbahej larg syve të opinionit”, ka thënë Krasniqi, për portalin Koha.net.
Krasniqi, që ka monitoruar procesin zgjedhor të LDK’së, ka shprehur bindjen se zgjedhjet në nivel të nëndegëve në LDK janë shoqëruar me përfshirje të mëdha edhe të atyre që nuk kanë qenë të anëtarësuar më parë, me pretendimin që të përfitojnë nga të qenit i LDK-së në pushtet.
“Mungesa e regjistrave të qartë të anëtarësisë, ka mundësuar që përmes kësaj forme të klientelizmit të diktohen në masë të madhe rezultatet e tyre. Parregullsitë më të mëdha janë raportuar në degë, ku kishte ristrukturim të degëve, anulim të rezultateve, zgjedhje paralele, etj. Gara për pushtet zhvillohet në degë, ngase kandidati që arrin të kontrollojë kryetarët e degëve, arrin të zgjidhet edhe kryetar i partisë. Sipas statutit të LDK-së, kryetari i degës propozon listën iniciale të delegatëve për nivel qendror, të cilët më pastaj zgjedhin kryetarin”, ka treguar Krasniqi.
Sa i përket eliminimit të kandidaturës së deputeten Vjosa Osmani nga ana e delegatëve në Kuvend, edhe pse është bërë duke u thirrur në dispozitat e statutit, Krasniqi konsideron se ky votim do të duhej të ishte formal, sa për të konfirmuar se personi që kandidon është delegat i zgjedhur dhe plotëson kriteret tjera të parapara me statut, asgjë më shumë.
“Është e pakuptimtë që personi i tretë në listën e LDK-së për deputet dhe njëkohësisht gruaja më e votuar, nuk i plotëson kriteret për të qenë madje as kandidate për kryetare. Duket se me këtë veprim, z. Mustafa nuk ka pasur besim në votimin e fshehtë, ka dashur të demonstrojë forcën përmes eliminimit të kundër kandidatëve, në mënyrë që të jetë i pa sfiduar si Angela Merkel e CDU-së”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, zgjedhja e Mustafës në krye të LDK-së pa kundër kandidat dhe me votim të hapur, është në kundërshtim të plotë me statutin e kësaj partie. “Neni 25.1 e thotë qartë që ‘Kryetari i LDK-së zgjidhet …me votim të fshehtë, me më shumë kandidatë’. Asnjëra prej këtyre dy kushteve nuk janë plotësuar që të quhen zgjedhje të ligjshme. Më këto veprime, LDK është kthyer prapa sa i përket procesit të demokratizimi të brendshëm”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si institucion i themeluar me Kushtetutë, është e obliguar të bëjë monitorimin e zgjedhjes së strukturave të partive politike në Kosovë, ka bazë të mjaftueshme për të zhvlerësuar zgjedhjen e Mustafa për kryetar të LDK-së, dhe të kërkojë përsëritjen e Kuvendit Zgjedhor.
“Rregullat e KQZ-së kërkojnë që procedurat që duhet zbatuar për zgjedhjen e kryetarit të përcaktohen qartë në statut si dhe obligon të gjithë anëtarët, organet ekzekutive dhe zyrtarët e saj, ti përmbahen statutit të tyre. Edhe pse një veprim i tillë është vështirë i pritshëm të ndodh, pasi KQZ është institucion mjaft i politizuar, mirëpo edhe në të kaluarën ka pasur raste kur ka zhvlerësuar vendime të partive që nuk kanë qenë në harmoni me statutin e tyre. Gjithashtu, mos raportim mbi gjendjen financiare të partisë rrit mungesën e transparencën ndaj anëtarësisë dhe është në kundërshtim me rregullat e KQZ-së”, ka thënë Krasniqi.