KQZ-ja akreditoi grupin e parë të vëzhguesve për katër subjekte politike për zgjedhjet parlamentare

E publikuar: 13/01/2025 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi grupin e parë të vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e KQZ-së u njoftua se bëhet fjalë për 2,274 vëzhgues, të cilët u takojnë katër subjekteve të ndryshme politike, si PDK-së me 95 vëzhgues, LDK-së 1,725 vëzhgues, Koalicija Vakat 234 vëzhgues, si dhe Demokratska Stranka me 220 vëzhgues.

Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

• Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteveb politike të certifikuara do të përfundojë më 15 janar 2025;

• Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025;

• Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25 janar 2025;

• Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt 2025;

• Afati për dorëzimn e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25 janar 2025;

• Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25 janar 2025. Për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://apliko.kqz-ks.org

Si bëhet aplikimi?

Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org .

Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkëngjisë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.