Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shënuar të enjten Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast është bërë edhe publikimi i trendeve zgjedhore në Kosovë, gjatë viteve 2009-2021.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha se pas çdo periudhe të zgjedhjeve është rritur numri i votuesve.
“Ky dokument është gjithëpërfshirës, i pari i këtij lloji, pasi ofron të dhëna në mënyrë të detajuar për më shumë se një dekadë të proceseve zgjedhore. Të dhënat e analizuara në këtë dokument u takojnë 5 proceseve zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Kosovës (2010; 2014; 2017; 2019 dhe 2021) dhe 4 proceseve zgjedhore lokale për Kuvendet Komunale (2009; 2013; 2017 dhe 2021)”.
“Fillimisht kur shohim trendet e përgjithshme në këtë periudhë kohore, shohim se pas çdo periudhe të zgjedhjeve rritet numri i votuesve”, tha Elezi.
Ai përmendi edhe pjesëmarrjen në zgjedhje lokale.
“Pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet lokale për Kuvendet komunale ka qenë në vitin 2013 e cila ka qenë rreth 47%. Në secilin nga proceset zgjedhore pjesëmarrja në votime janë meshkujt, sillen rreth 40 mijë ose 50 mijë meshkuj më shume se femra. Votuesit që i takojnë grup moshës 18-21 vjeç përfshijnë pjesëmarrjen më të madhe”, tha Elezi.
Elezi theksoi se për analizë janë marrë 7 komunat më të mëdha të vendit, raporton EO.
“Në këtë dokument janë marrë 7 komunat më të mëdha për analizë. Përqindja më e lartë në pjesëmarrje në zgjedhje është regjistruar në zgjedhjet për Kuvend. Përqindja e votave me kusht është zvogëluar në raport me numrin e personave që kanë të drejtë vote”, tha Elezi.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së tha se në periudha jo zgjedhore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është në vëmendje mediale, por kjo nuk do të thotë se nuk kryen punë për fuqizimin e këtyre proceseve.
“Është e kuptueshme që në periudha jo zgjedhore Komisioni Qendror Zgjedhor të mos jetë në vëmendje mediale, por KQZ kryen punë për fuqizim” tha Radoniqi.
Ai theksoi rëndësinë e këtij dokumenti dhe shtoi se do të vazhdojnë me publikime të mëtejme.
“Besoj shumë që edhe ky dokument që do të publikohet sot do t’i shërbejë shumë njerëzve. Ne do të vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje të madhe publikimeve, pasi që konsiderojmë se po u shërben shumë palëve” tha Radoniqi.
Kryetari i KQZ tha se përkundër arritjeve duhet të vazhdohet puna e këtij komisioni.
“Pavarësisht arritjeve të mëdha që Kosova ka shënuar gjatë vitit në vit është e nevojshme që të punohet vazhdimisht. Realizimi i detyrave që do të bëhen do ta bëjë një proces sa më transparent.”
“Ne si KQZ i kemi marrë shumë me seriozitet rekomandime rreth zgjedhjeve dhe jemi munduar që t’i përfshijmë në rregulla zgjedhore” shtoi Radoniqi.
Pascale Roussy, Drejtoreshë e Demokratizimit të OSBE-së në Kosovë, tha se është shumë e nderuar që të jetë pjesë e shënimit të kësaj dite.
“Ne kemi qenë partner me Komisionin Qendror Zgjedhor që shumë kohë tashmë. Dëshiroj të përmendi këtu zgjedhjet e parakohshme dhe ato të jashtëzakonshme”, tha Roussy.
“Ky dokument i cili është përgatitur ka shumë të dhëna dhe do t’iu shërbejë të gjithëve që ta ngrisim vetëdijen e votuesve”.
“OSBE do ta mbështetë KQZ-në, do të ketë një kampanjë që ta ngrisë vetëdijen zgjedhore në lidhje me proceset e votimit” tha Roussy.
Ajo tha se OSBE do të ndihmojë në ndërtimin e softuerit për rezultate zgjedhore elektronike.
“Softueri për rezultate zgjedhore, do të sofistikohet dhe ne e mbështesim atë. Këto elemente do ta rrisin transparencën dhe kredibilitetin e zgjedhjeve. Ne jemi të lumtur që të punojmë për gjatë mandatit tonë dhe të realizojmë punëtori me partnerët kyç. Dua të theksoj që OSBE do të vazhdojë të japë mbështetje KQZ-së” shtoi Roussy.
Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, tha se në vitin 2017 ka qenë dalja më e madhe në zgjedhje, si dhe përmendi disa faktorë kontribuues.
“Në rastin e Kosovës, në vitin 2017 kur kemi pasur një ndër daljet më të mëdha” tha Cakolli.
Cakolli përmendi edhe faktorët kyç për dalje në zgjedhje dhe arsyet pse nuk dalin votuesit.
“Niveli i informimit të votuesve është një ndër faktorët kyç, pastaj mosha mesatare. Një ndër arsyet pse votuesit nuk dalin në zgjedhje është mosbesimi tek vota, sepse mendojnë që dikush tjetër do të manipulojë me votën e tyre, do të votojnë në emrin e tij” tha në fund Cakolli.