KQZ – diasporës: Mos i dërgoni pakot me fletëvotime në përfaqësi diplomatike, por vetëm në adresë të kutive postare të KQZ-së

E publikuar: 17/01/2025 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dhënë një udhëzim të rëndësishëm të gjithë votuesve jashtë Kosovës për të cilët ka filluar procesi i votimit përmes postës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në bazë të procedurave, votuesit nuk duhet t’i dërgojnë pakot e tyre me fletëvotim në ambasada apo konsullata, pasi që ligji nuk e njeh këtë mënyrë votimi.

“Të gjithë shtetasit e Kosovës për të cilët ka filuar procesi i votimit përmes postës, duhet të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim vetëm në adresë të ndonjërës nga kutitë postare. Pako me fletëvotim e cila dërgohet direkt në përfaqësinë diplomatike, ashtu siç ka ndodhur në disa raste deri më tani, nuk mund të procedohen si të rregullta”, ka thënë Elezi për Ekonomia Online.

Më 9 janar 2025, ka filluar periudha 31 ditore e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit:

• duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo

• duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.