KPK reagon për gjuhën e zyrtarëve të VV’së ndaj Blerim Isufajt: Ndërhyrje flagrante në punën e Gjyqësorit

E publikuar: 20/04/2023 11:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka quajtur të papranueshme dhe tendencioze gjuhën e përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit, Artan Abrashit e Adnan Rrustemit, për punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt, pas arrestimit të Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqi, raporton Express.

Sipas KPK’së, këto deklarata përbëjnë ndërhyrje flagrante dhe të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht të institucionit të Prokurorit të Shtetit.

“Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se qëndron plotësisht prapa punës së mirëfilltë dhe shumë profesionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe prapa punës dhe angazhimit të prokurorëve të PSRK-së dhe në asnjë rast nuk do të tolerojë denigrimet dhe atakimet qëllimkëqija ndaj angazhimeve dhe përkushtimit të bartësve të sistemit prokurorial.

Në përmbyllje të këtij reagimi, KPK-ja ia risjellë në vëmendje kujtdo që tenton të cenojë punën e kësaj prokurorie dhe Kryeprokurorit të saj, z. Blerim Isufaj, si dhe përgjithësisht punën e institucionit të Prokurorit të Shtetit se, pushteti gjyqësor dhe prokurorial është i veçantë, me institucione kushtetuese, të pavarura dhe të paanshme, të cilat kryejnë detyrën e tyre në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke u bazuar gjithnjë në prova dhe fakte”, thuhet në reagim.

Ndryshe, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka “goditur” Kryeprokurorin Blerim Isufaj, pas arrestimit të Kryeshefit të KEK.

Ajo ka aluduar se prokuroria po jep urdhra politikë ndaj funksionarëve të pushtetit të VV-së.

“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”, ka shkruar ajo.

Mihali ka sulmuar prokurorin Blerim Isufaj, i cili nuk është dekretuar as pas një viti nga Presidentja e vendit si kryeprokuror.

“P”se do të thoni ju? Kur ja heq një herë në jetë fletëarrestin kryekriminelit Millan Radojciq çka mendoni ju se mund të bëj tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujëra të zeza. Por qesh mirë kush qesh i fundit. Prokuror Elezin e detyruan të braktiste Kosovën se nuk ua ‘pastroji’ rastin VETERANËT. Po ne nuk ikim. Jemi shumë. Edhe të vendosur. Kosova SHTET I SË DREJTËS”, ka shkruar ajo në fund.

Akuza ndaj Isufajt ka drejtuar edhe deputeti Artan Abrashi.

“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, ka shkruar Abrashi.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka drejtuar akuza ndaj prokurorëve.

“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV! Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë!”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Prokuroria Speciale ka njoftuar dje se është arrestuar Kryeshefi i KEK’ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.

I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.