Presidentes Vjosa Osmani i kërkohet edhe një herë që ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur unanimisht që ta çojë sërish në Presidencë emrin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, i tha Gazetës Express se në Presidencë ka mbërritur një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.
“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, tha ai.
Osmani më 17 tetor vendosi zyrtarisht që të mos e dekretojë Isufajn për kryeprokuror, pasi tha se në procesin e përzgjedhjes së tij kishte “shkelje masive”.
Presidentja pati thënë në një konferencë për media se KPK s’mund të ia çojë sërish emrin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale për dekretim. Ajo pati thënë se sipas ligjit dhe Kushtetutës, KPK-ja ka të drejtë ta bëjë propozimin “një herë”.
“Sa i përket çështjes së dytë që ka të bëjë me Këshillin Prokurorial, ju e dini që sipas ligjit dhe Kushtetutës, Këshilli Prokurorial ka të drejtë që ta bëjë propozimin e kandidatit për Kryeprokuror një herë, për dallim prej çështjes së prokurorëve, për kryeprokuror ka të drejtë ta bëjë një herë propozimin dhe pastaj që ky propozim të vlerësohet nga ana e Presidencës”, ishte shprehur ajo.
Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Presidentja priti të përfundonin të gjitha procedurat gjyqësore dhe pas një viti e gjysmë mori vendim për të mos e dekretuar Isufajn. Tha se kishte “shkelje masive” në procesin e përzgjedhjes së Isufajt. “Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, tha ajo. Procesi, sipas presidentes, nuk u zhvillua mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

















