Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka shprehur homologut të tij amerikan, Rex Tillerson, këndvështrimin e Athinës për rolin e Greqisë në stabilitetin dhe sigurinë e lëvizjeve gjeostrategjike që po bëhen në rajonin ballkanik.
Siç bënin me dije analistë nga Shkupi para kësaj vizite, Kotzias shkonte në Uashington për të shprehur pozicionimin e vazhdueshëm dhe të pandryshueshëm të Greqisë për bllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, për shkak të çështjes së pazgjidhur ende të emrit, si dhe do të hidhte poshtë “platformën shqiptare” për të vendosur atë greke në zgjidhjen e ngërçit politik në shtetin fqinj.
Por i pyetur nga gazetarët pas takimit, Kotzias është shprehur se nuk është prekur në veçanti çështja e zhvillimeve në Shkup, përveçse kur është bërë analiza për stabilitetin te fqinjët veriorë të Greqisë dhe ai ka raportuar se çfarë po ndodh atje, duke shtuar faktin se Athina po bën përpjekje për të stabilizuar situatën.
Kreu i diplomacisë greke ka pohuar se Tillerson ka dëgjuar me vëmendje analizën e tij për sigurinë në rajon, cilat forca po lëvizin tashme dhe me çfarë mënyre. Por kur i është kërkuar të emërtojë këto forca që po krijojnë destabilizim në Ballkan, Kotzias ka deklaruar në mënyrë lakonike se ato do të qartësohen dhe do të dalin në pah pas analizave të shumta.
Gjithashtu, në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke theksohet se, Kotzias i ka raportuar palës amerikane nervozizmin e Ankarasë, që kërkon ta transferojë atë te vendet e treta, ndërsa thuhet se janë zhvilluar edhe bisedime për sa i përket projekteve energjetike dhe ato të ndërtimit të linjave të reja hekurrudhore në Greqi dhe rajon./tch/