Kosovës i mbetet të riaplikojë për anëtarësim në EQAR, pasi të garantojë pavarësi politike

E publikuar: 01/03/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova ishte paralajmëruar nga zyra e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë se mund të përjashtohej, ndërsa ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë parandaluese.

Puna e Agjencisë për Akreditim e Kosovës, për EQAR-in u pezullua që prej datës 25 shtator 2017, atë ditë kur Ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj shkarkoi bordin e Agjencisë së Akreditimit.

Ndërsa vendimi i datës 27 shkurt të këtij viti ishte përfundimtari, kur edhe u kuptua se AKA nuk është më pjesë e EQAR.

Këtë për KTV-në e ka konfirmuar zëdhënësja e Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Annelies Traas.

Sipas saj, AKA mund të rikthehet në EQAR nëse demonstron pavarësi institucionale.

“Agjencia për Akreditim e Kosovës është përjashtuar që nga data 25/9/2017. Deri në atë datë, megjithatë, regjistrimi i AKA-së nuk u revokua. AKA mund të riaplikojë në çdo kohë dhe do të duhet të demonstrojë përputhshmëri me standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, veçanërisht standardin 3.3 mbi pavarësinë, përmes një rishikimi të ri të jashtëm të pavarur, me qëllim që të ripranohet”, ka thënë Annelies Traas, zyrtare për Informim në EQAR.

Deri tash, Kosova nuk është ankuar për vendimin për përjashtim, derisa Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, thotë se do të respektojë afatin ligjor për t’u ankuar.

“Një vendim jo i mirë për Agjencinë. Na mbetet të bëjmë shumë punë që brenda afatit ligjor të ankesës të arrijmë anulimin e këtij vendimi. Ne shpresojmë se këshilli shtetëror i cilësisë, me një përbërje shumë profesionale dhe të gjithë apolitikë, të ratifikohet shumë shpejt në parlament, në mënyrë që bordi të bëhet funksional”, ka thënë ministri Bytyqi.

Por ratifikimin e anëtarëve të rinj të bordit të Akreditimit pritet ta pengojë Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa shkrimtari e publicisti Veton Surroi ka shkruar për dy dukuri që, sipas tij, po ndodhin njëkohësisht në Kosovë.

“Kosova mund të thyejë shumë ligje por jo edhe ato të fizikës. Një trup nuk mund të lëvizë në dy drejtime (madje të kundërta) njëkohësisht. Nuk mund të kërkosh të njëjtën ditë të integrohesh në Evropë e të përjashtohesh prej Evropës,” ka shkruar Surroi në Facebook.

Përgjegjës për tërë këtë situatë, Lëvizja Studentore për Barazi, Studim, Kritikë dhe Veprim e bën kryeministrin dhe Ministrinë e Arsimit.

Si Agjenci e përjashtuar, Kosovës i mbetet që të riaplikojë për anëtarësim dhe të pranohet nëse plotëson kriterin për pavarësi nga politika.