Demush Beqiri nga Fshati i Vjetër i Ferizajt po pretendon që po shpik diçka të veçantë që do t’i hynte në punë mbarë njerëzimit. Thotë se bëhet fjalë për një gjenerator i cili do të prodhojë rrymë pa ndonjë shpenzim dhe nuk do ta ndotë ambientin.
Ai nuk është as fizikan e as elektricistë por energjinë e tij qe katër vite e ka orientuar te shpikja e një gjeneratori i cili sipas tij do t’i kontribuonte mbarë njerëzimit.
Madje Demushi pretendon zbulim të tillë deri sot nuk ka parë njerëzimi.
“Ky është një gjenerator për rrymë i cili nuk bën ndonjë shpenzim dhe nuk ndot ambientin. Ky zbulimi jem i sigurt që njëherë është më i miri në botë me sa e kam pa unë. Kam pas ngecje për financa me i ble pjesët që mu më nevojiten, e që ka të më shtyhet realizimi i projektit. Ky është një aparat që tani për tani prodhon diku 15 kw rrymë pa shpenzime dhe as nuk nxjerrë tym dhe nuk lëshon radioaktivitet”, tha ai për lajmi.net.
Demushi këmbëngul dhe është optimistë se zbulimi i tij do të ketë shumë sukses.
“Çdo zbulim e ka problemin e vet dhe nuk është e thjesht kjo punë mirëpo e kam idenë dhe shpejt do të dal në prodhim. Ky projekt është tani i vogël por në këtë drejtim mund të bëhen edhe centrale të mëdha jo vetëm për ne por për tërë botën. Ky zbulim është për prodhim të rrymës dhe kjo është e nevojshme në këtë kohë kur bota është në krizë për këtë produkt. Kjo është një gjë që zvogëlon ndotjen e ambientit”.
Nga ana tjetër, Selami Matoshi i cili jeton në Lucern të Zvicrës thotë se përmes mediave është njoftuar me punën e Demushit dhe ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojmë në forma të ndryshme.
“Në rast që përfundon ky projekt atëherë puna e përfitimi nga kjo shpikje do të jetë shumë e madhe. Unë po mundohem që në mënyrë financiare me i ndihmu dhe me disa mjete po ia sjelli nga Zvicra, me të vetmin qëllim që ky projekt të rezultojë me sukses” thotë Selamiu.
Ndërsa sipas Demushit, gjeneratori do fillojë të testohet dhe të hyjë në funksion brenda pak kohe. /lajmi.net.