Kosovari mercenar në Ukrainë flet për Klan Kosovën mbi përvojën në luftë (VIDEO)

E publikuar: 15/11/2022 23:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kherson është një prej rajoneve të Ukrainës, ku u zhvilluan luftimet më të ashpra, qysh prej pushtimit rus. Ky qytet madje përfundoi si një prej 4 rajoneve të aneksuara jashtëligjshëm nga Rusia.

E përpjekjeve ukrainase për ta rimarrë Khersonin iu është bashkuar edhe një kosovar.

Armendi, që ndodhet në këtë rajon prej qershorit 2022, ka treguar ekskluzivisht për Klan Kosovën pse e si shkoi në Ukrainë.

“Motivi ka qenë, i kam pas dy shokë amerikanë, 1 gjerman dhe 1 anglez, jemi me një kamp shumë bashkë, ata kanë qenë në luftë edhe në Afganistan e Siri… më erdhi mundësia me iu bashku në Ukrainë, se e kam pasur ëndërr ushtrinë,” ka thënë ai.

35-vjeçari, që në shtetin e pushtuar udhëtoi prej Gjermanisë, ku jeton prej vitesh, tha se më herët nuk ka marrë pjesë në asnjë luftë dhe se nuk ka qenë në dijeni të faktit se me ligjet e Kosovës pjesëmarrja në luftëra të huaja dënohet.

“Kosova është vendlindja ime, unë bëj gjithçka për Kosovën, po nëse Kosova e ka këtë ligj do ta zbatojmë çka me bë, ligji është ligj.”

I riu, që luftës i është bashkuar me kontratë, thotë se rreziku është i vazhdueshëm.

“Problemi është se këtu gjithmonë je në rrezik, se rusët tërhiqen edhe punojnë me raketa, ne e kemi një përparësi se artileria e Ukrainës është shumë e mirë.”

Sipas kosovarit, ky është i vetmi me këtë kombësi në frontin e luftës, ndërkohë që në rajonin e Khersonit ka takuar fare pak shqiptarë që jetonin atje prej kohësh.

Autoritetet në Prishtinë e kanë mohuar vazhdimisht se në Ukrainë lufton ndonjë kosovar. Ndërsa Moska ka dhënë shifra dyshifrore.