Një nga proceset më të mëdha të mashtrimit që është zhvilluar ndonjëherë në Republikën Saarland, pritet të fillojë të martën në Gjykatën e Landit në Saarbrücken.
Bëhet fjalë për mashtrim online, ku thuhet se mbi 1 mijë e 100 investitorë janë mashtruar, humbjet e të cilëve janë më shumë se 40 milionë euro.
Në këtë rast është i akuzuar një 29-vjeçar me prejardhje nga Kosova, transmeton Gazeta Sinjali.
Azem S., akuzohet nga Prokuroria Publike për mashtrim të përmasave të mëdha. Ai dyshohet se është pjesë e një bande që u ka grabitur investitorëve kursimet e tyre përmes platformave tregtare online.Në portalet e tregtimit online të quajtura “XMarkets.com”, “Zoomtrader”, “Option888”, “TradeInvest90” dhe “TradoVest” operatorët ofronin baste financiare gjoja fitimprurëse. Sipas Prokurorisë Publike, konsulentët nga qendrat e thirrjeve (Call Center) të Europës Lindore kanë bindur investitorët që të transferojnë gjithnjë e më shumë para në portalet në fjalë, raporton albinfo.ch.
Në fund ato para kryesisht “zhdukeshin”. Paratë e depozituara nga investitorët e mashtruar mësohet se vetëm formalisht kanë hyrë në bastet financiare, por në fakt kanë shkuar direkt në xhepat e mashtruesve të dyshuar, shkruan sr.de (Saarländischer Rundfunk).
E një ‘Call Center’ të tillë në Kosovë akuzuohet se e ka udhëhequr 29-vjeçari kosovar së bashku me një partner.
Avokati i tij mbrojtër nuk ka dashur të komentojë mbi akuzat që rëndojnë klientin e tij, por ai ka kritikuar faktin se klienti i tij ka qëndruar prapa hekurave për më shumë se dy vjet e gjysmë pa vendim gjyqësor.Në verën e vitit 2019, hetuesit nga Saarbrücken-i së bashku me autoritetet kosovare kishin mbyllur qendrën e thirrjeve. Pak më vonë 29-vjeçari ishte arrestuar teksa ndodhej me pushime verore në Shqipëri. Më pas ai është mbajtur në paraburgim në pritje të ekstradimit për rreth një vit, ndërsa ka pritur gjykimin e tij në Gjermani që nga vera e vitit 2020.
Dëmi që i atribuohet bandës, së cilës thuhet se i përket kosovari është i madh: vetëm lënda që po trajton procesi para gjykatës së landit përfshin një humbje prej rreth 42 milionë eurosh, të shpërndara midis mbi 1100 investitorëve, raporton albinfo.ch.
Sipas zyrës së prokurorit publik, dëmi më i lartë që ka pësuar një individ është 5.5 milionë euro, ndërsa mesatarja është 35 mijë euro për person të prekur.
Gjykata merret vetëm me rastet në të cilat i dëmtuari ose ka bërë kallëzim penal ose dëmi ka qenë mbi 5000 euro. Prandaj, dëmi total i shkaktuar nga banda është edhe shumë më i lartë. Pas një analize të të dhënave, hetuesit supozojnë se dëmet në fakt kanë qenë rreth 115 milionë euro. Prandaj, sipas prokurorisë publike, ky është edhe rasti më i madh i mashtrimit për të cilin autoritetet e kësaj republike kanë zhvilluar ndonjëherë ndjekje penale.
Aktakuza ka 728 faqe dhe të gjitha dokumentetmarrë së bashku janë të ndara në 866 dosje. Paraprakisht gjykataka ka caktuar 28 data për shqyrtimin kryesor.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe i dyshuari kryesor aktual, i cili besohej se ishte kreu i grupit. Ai ishte fillimisht në paraburgim në Vjenë dhe më vonë në Saarbrücken. Ai ka vdekur në verën e vitit 2020 në burgun Lerchesflur nga një mbidozë droge, përcjell albinfo.ch.
Rrethanat e sakta të vdekjes së tij mbeten të paqarta.