Jo rrallëherë llogaritë individuale e ato të bizneseve online janë përballur me sulme kibernetike. Disa prej tyre edhe mund t’i kthejnë, por shumë prej tyre i humbin llogaritë e tyre në rrjetet sociale përgjithmonë.
Njohësi i sigurisë kibernetike, Tanzer Abazi, në një intervistë për Kiks Kosova, ka thënë se ky lloj i sulmit në të cilin përfshihen edhe paratë, janë karremi më i lehtë për qytetarët.
Sipas Abazit, dallaveraxhinjtë e rrjetit, të cilët kanë arritur të kapin deri në 10 mijë euro, aplikojnë forma përmes dërgimit të vegzave të ndryshme, të cilat janë të lidhura në atë formë që marrin edhe të dhënat e llogarisë bankare.
Cak i provokimeve të tilla, sipas tij, janë më së shumti organizatat dhe bizneset me numër të madh të ndjekësve.
Personat misteriozë që gjenden prapa këtyre platformave e mashtrimeve, Abazi i quan kriminelë kibernetikë.
Këto skema të mashtrimit, sipas tij, zgjasin prej gjashtë e deri në një vit.
Mirëpo, pse të tillë mashtrues gjejnë terren të lehtë të funksionimit në Kosovë?
Sipas njohësit të sigurisë kibernetike në vend, Tanzer Abazi, fakti se kosovarët duan të bëjnë para shpejtë e lehtë, iu mundëson mashtruesve online që të targetojnë Kosovën.
Abazi apelon te institucionet kosovare që për mbrojtjen e sigurisë kibernetike në vend, shteti duhet të bashkëpunojë me sektorin privat, në mënyrë që të ngrihet vetëdija e përgjithshme.