Kosova ka fituar njohje zyrtare nga Amazon dhe është përfshirë tashmë në të gjitha platformat e Amazon.
Përmes një njoftimi për media nga zyra e presidentes dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë bëhet e ditur se me përfshirjen e saj në te gjitha platformat e Amazon, Republika e Kosovës shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit.
“Kjo arritje vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në tetor 2024, ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe përfaqësuesve të gjigantit teknologjik Amazon në Washington D.C., SHBA. Këto diskutime janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Task Forca për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me mbështetje të rëndësishme nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Tutje në postim bëhet e ditur se prania në platformat Amazon u mundëson individëve dhe bizneseve kosovare të zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe të prezantojnë produktet vendore para një audiencë globale në amazon.com, duke nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin.
“Ky zhvillim gjithashtu lehtëson qasjen për konsumatorët, të cilët tani mund të lidhen pa pengesa me një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë si dhe përdorimin e shërbimeve si Amazon Ëeb Services (AËS), Amazon Alexa, etj. Ky përparim është një dëshmi e qartë e fuqisë së diplomacisë dhe bashkëpunimit publiko-privat në avancimin e interesave ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës.
Presidentja, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, po zhvillon takime të vazhdueshme edhe me platforma të tjera të rëndësishme digjitale, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e sektorit të biznesit në vend dhe ekosistemit digjital në përgjithësi”, thuhet në njoftim.