Kosova, vendi me më së paku të punësuar në rajon

E publikuar: 05/01/2016 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pse të dhënat për personat e punësuar gjatë vitit 2015 nuk janë publikuar ende nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas kësaj agjencie në këtë vit ka pasur një trend pozitiv në krahasim me vitet paraprake.

Sa i përket viteve të kaluara, shkalla e papunësisë ka rënë lehtë nga 30.9% në 30.0%, midis viteve 2012 dhe 2013 por pastaj ka shënuar rritje në 35.3% në vitin 2014.

Megjithatë, midis viteve 2013 dhe 2014 përqindja e personave të dekurajuar (personat joaktivë, të cilët nuk kërkojnë punë pasi besojnë se nuk ka) ka rënë nga 12.1% në 10.7%. Shkalla e joaktivitetit gjithashtu ka shënuar rënie të lehtë midis dy viteve.

Drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa gjatë një interviste për KosovaPress ka thënë se ata i kanë të dhënat për vitin 2015, por se ende nuk mund t’i bëjnë të ditura. Ai është i bindur se shkalla e papunësisë gjatë vitit 2015 është zvogëluar, ndërsa është rritë numri i të punësuarve.

“Ne kemi të dhëna për tregun e punës për vitin 2015 por ende ato nuk publikohen. Janë të dhëna me karakter tre mujorë, por sipas trendëve të shkallës së punësimit dhe papunësisë, në vitin 2015 kemi trend pozitiv, pra kemi rënie të shkallës së papunësisë dhe rritje të shkallës së punësimit, por të dhënat finale do t’i publikojmë në vitin 2016”, tha Bellaqa.

Sipas të dhënave të vitit 2014, Bellaqa tha se nga rreth 1 milion e 811 mijë banorë popullsi rezidente që ka pasur Kosova, në moshë pune kanë hyrë mbi 1 milion e 202 mijë banorë.

Sipas tij, nga kjo popullsi e moshës së punës, përqindja më e madhe e popullatës është në fuqi joaktive, apo 58.4 %, apo mbi 702 mijë banorë dhe se këtë përqindje e rritë më së shumti gjinia femërore.

“Po r nga kjo popullsi e moshës së punës, përqindja më e madhe e popullatës është në fuqi joaktive, apo 58.4 % apo në vlera numerik 702 mijë e 238 banorë. Pra, nuk janë ekonomikisht aktivë që do të thotë se ata nuk janë të punësuar. Nga kjo vlerë 58.4 % e popullsisë në moshë të punës është jo aktive 18.2 % kur nuk kanë kërkuar punë sepse besonin se nuk kanë punë, ndërsa punonjësi e dekurajuar përbëjnë 10. 7 % të popullatës në moshë pune, në nivel të ngjashëm si për femrat, ashtu edhe për meshkujt. Por përqindjen më të madhe të fuqisë jo aktive e përbënë gjinia femërore apo rreth 38.8 %”, tha Bellaqa.

Ai shtoi se nga numri i popullsisë me moshë për të punuar, fuqi aktive gjatë vitit 2014 ka pasur 41.6 %.

“Në kuadër të vlerës 1 milion e 202 mijë e 489 banorë, fuqi aktive kemi 41.6 %, apo e shprehur në vlera numerike 500 mijë e 251 banorë, janë do të thotë ekonomikisht aktiv. Prej kësaj popullate aktive kemi 35.3 % të papunësuar, apo 167 mijë e 743 persona. Ndërsa, të punësuar 26. 9 për qind apo 323 mijë e 508 persona aktiv janë të punësuar. Nëse i krahasojmë trendët, në vitin 2014 ka pasur trendë negative sa i përket shkallës së punësimit dhe papunësisë, nëse e krahasojmë në vitin 2013 shkalla e punësimit ka qenë 28. 4 %, ndërsa në vitin 2014 kemi rënie në 26.9 %, pra në këtë rast kemi rënie për 2.5 %”, shtoi ai.

Edhe te fuqia punëtore apo aktive papunësia është më e theksuar tek gjinia femërore ku shkalla e papunësisë sillet 41. 6 %, ndërsa të meshkujt 33.1 %. Ndërsa, shkalla e punësimit te femrat është 12.5 % e te meshkujt 41.3 %.

Por, sipas Bellaqës karakteristikë në Kosovës është se shkalla e papunësisë është e theksuar te grupmoshat e reja prej 15 deri në 24.

“Në Kosovë është shkalla e papunësisë është e theksuar te grupmosha e re, përkatësisht ku përfshihet mosha 15 deri në 24 vjeçe, ku shkalla e papunësisë tek kjo moshë sillet 61 %. Si çështje tjetër te shkalla e papunësisë, përqindja më e madhe e personave të punësuar janë me kontrata të përkohshme, ku 71.6 % të të punësuarve kishin kontrata të përkohshme, ndërsa 28.4 % kontrata të përhershme. Pyetja që i është bërë të anketuarve se pse nuk i është bërë kontrata e përhershme është esenca se asnjëherë nuk i është ofruar një kontratë e tillë”, tha ai.

Me këto statistika Kosova vazhdon të prij si vendi me më pak të punësuar në rajon, ku pas saj prin Bosnja me 27. 5 % të papunë dhe e treta vjen Serbia me 18.9 %.