“Kosova t’i kthehet angazhimit të ngushtë me SHBA-në”, ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Miller

E publikuar: 08/08/2024 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
MATT_MILLER-US_STATE_DEPARTMENT_PRESS_BRIEFING_WITH_NEW_SPOKESPERSON

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Kosova me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.

Ai këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media kur u pyet rreth aksionit për mbylljen e degëve të Postës serbe në veri të Kosovës, raporton Express.

Deklaratën e tij e ka shpërndarë ambasada amerikane në Prishtinë ku ka vënë theksin te thirrja e SHBA-së që Kosova t’i kthehet angazhimit konstruktiv me SHBA-në dhe partnerët tjerë të saj.

“Ajo që ne do ta inkurajonim Qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe ne e kemi bërë të qartë këtë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”, ka thënë Miller.

Miller tha se “nuk do të spekuloj për veprime në të ardhmen”, por përsëriti se SHBA është e shqetësuar nga “vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës”.

“Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën të krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderë të njëpasnjëshëm të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”, ka thënë ai.

Komentet e Miller erdhën edhe pas një deklarata që lëshoi ambasada e SHBA-së pas aksionit të Policisë së Kosovës që mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë në veri të vendit. Autoritetet e Kosovës thanë se ato nuk kishin licencë për punë.

Ambasada kishte thënë se këto veprime e vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe të ushtarëve të KFOR-it.