Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës e votoi marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në Kuvend, partia e Haradinajt e pati lëshuar sallën, duke mos e votuar atë.
Por tash Haradinaj, si kryeministër, po interesohet në përshpejtimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Haradinaj tha se prioritet kyç i kësaj qeverie është agjenda evropiane e Kosovës dhe synimi mbetet që Kosova sa më parë që është e mundur të marrë statusin e kandidatit.
E kjo, sipas tij, duhet të bëhet në vitin 2019. Haradinaj, i cili do ta kryesojë takimin për MSA-në në Bruksel tha se atje nuk do të shkojnë të përsërisin fjalime boshe, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm, tash zëvendës i Haradinajt, Enver Hoxhaj, tha se kjo qasje është një moment i ri sa i përket zbatimit të planit ERA.
Ndërkohë, kryeministri, në mbledhjen e qeverisë, ka kërkuar takim me ministra edhe të shtunave, ndërsa ka thënë se do t’i ftojë edhe zyrtarët ligjorë të ministrive në takim, për të parë se si po e kuptojnë agjendën evropiane ata.
Ndërkohë, ka folur edhe për problemin me qentë endacakë, duke thënë se qeveria duhet të ndërmarrë diçka në lidhje me këtë çështje, pasi që komunat janë të paafta për t’u marrë me këtë problematikë./koha/