Kuvendi i Kosovës sot do t’i mbajë të hapura dyert për qytetarët. Ky manifestim organizohet për ”Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë”, me moton“Institucione të hapura – pjesëmarrje qytetare!”
Kuvendi i Republikës së Kosovës për këtë ditë ks paralajmëruar edhe aktivitete të tjera.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në orën 10, në hollin e Kuvendit do të mbajë fjalën e hapjes, ndërsa pastaj do të mbajë një fjalë të shkurtër drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, i cili do t’ia dorëzojë Veselit publikimin e raporteve përmbledhëse për hulumtimet ligjore për komisionet parlamentare.
Veseli më pas do të ketë një bashkëbisedim me përfaqësues të organizatave që e mbështesin Kuvendin dhe me ata të shoqërisë civile. Në vijim do të bëhet prezantimi i Platformës digjitale për pyetje parlamentare, përgatitur nga KDI-ja, si dhe hapja e Panairit me rastin e shënimit të Ditës së Demokracisë, me një fjalë të kryetarit të Forumit për transparencë parlamentare, Zenun Pajaziti.
Në vazhdim të solemnitetit Veseli do të vizitojë Panairin e OJQ-ve dhe ekspozitën e piktorëve filloristë. Me këtë rast do të bëhet ndarja e çmimeve tre piktorëve të rinj, sipas konkursit të shpallur nga Kuvendi, me rastin e kësaj dite.