Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në emër të Qeverisë së SHBA-së, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit me të cilin shteti i Kosovës mbështet financiarisht Koalicionin global kundër grupit militant Shteti Islamik.
“Kosova përmes këtij memorandumi është rreshtuar edhe financiarisht në përkrahje të Koalicionit Global Kunder ISIS-it dhe do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet edhe në forma tjera bashkëpunimit, përfshirë rrugëve të ofrimit të ndihmës humanitare, ofrimin e ekspertëve për pastrimin e fushave nga mjetet e rrezikshme, ashtu siç është paraparë me vendimin e Qeverisë së datës 20 tetor, 2017”, thuhet në njoftim.
Ministri Hamza tha se është i lumtur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit që t’i ofrojë mbështetje financiare Koalicionit Global Kundër ISIS-it, transmeton rel.
Ambasadori Delawie, me këtë rast, tha se është i kënaqur me faktin që Republika e Kosovës e riafirmoi angazhimin e saj në Koalicionin Global Kundër ISIS. Ai shtoi se bashkëpunimi është kyç për luftimin e ekstremizmit.