I nervozuar u shfaq para media të hënën Josep Borrell, shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian e shumë kritikë ndaj Kosovës, pas bisedimeve maratonike në Bruksel që zgjatën tetë orë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç – e që nuk dhanë rezultat për çështjen e targave.
Ish ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, thotë për Albanian Post se një vend i vogël si Kosova duhet të ketë kujdes në raportet Bashkimin Evropian, duke shtuar se “kombi shqiptar nuk e ka as rëndësinë e peshën por as luksin të shkojë ‘fytazi’ me një ‘softpower’ siç është BE-ja dhe ‘superministri’ i saj i jashtëm Borrell”.
Tash kur Kurti vendosi ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat për 48-orë, Cufaj thekson se është mirë që në çastet e fundit kemi një kthesë për targat dhe angazhim të SHBA-së.
“Gjithsesi, është naive të mendojmë që SHBA e BE nuk janë bashkë në këtë temë- qoftë për targat ashtu edhe për Marrëveshjen përfundimtare”, shton ai.
Cufaj kërkon që të ruhen aleancat me SHBA-të dhe BE-në, duke qenë shumë syçelë.
“Të shohim që si Kosovë e vogël dhe komb me peshë jo të rëndë në gjeostrategjinë botërore të mos thyejmë asnjë traditë dhe me këtë bëjmë gafa që na kushtojnë”.
“Aleatët e patundur të Kosovës dhe kombit shqiptar janë SHBA-të dhe BE-Ja”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Kurti këtë të marte tha se Borrell po e refuzon planin franko-gjerman.
“Borrell, me keqardhje e them, e braktisi propozimin franko-gjerman, duke kërkuar një dakordim për targat”, theksoi Kurti në një prononcim për gazetarë.
Por – zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka mohuar se Bashkimi Evropian po heq dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështet Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, ashtu siç tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa për Avni Arifin, ish shef i stafit të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish udhëheqës i dialogut me Serbinë, kritika të tilla të hapura përpara mediave si e Borrellit të hënën, nuk kanë ndodhur më herët.
“Është e paqartë se a është ky reagim si rezultat i bisedimeve për targa, apo si rezultat i klimës së vazhdueshme që ka krijuar Kurti në të gjitha takimet. Drojë se është kjo e dyta”, thekson Arifi për AP.
Arifi, kur pyetet për pasojat e mundshme ndaj Kosovës, është i bindur që “Kosova po hyn në defensivë”.
“Është vështirë të jepet një përgjigje direkte përderisa nuk i ke informata të dorës së parë për krejt atë çfarë ka ndodhur, por sigurt Kosova po hyn në një situatë të defensivës pa të drejtë dhe pa asnjë meritë. Sjellja e Kosovës në këtë pozicion është dëm tepër i madh.
Ai mendon që Kurti është dashur të dijë se sjellja e tij do të sjellë te kjo situatë, prandaj potencon se “është dashtë të shmanget”.
Të hënën, Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.
Siç u kuptua më vonë. BE-ja kishte vendosur një propozim ku Kosovës i kërkohej të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.
Vuçiç është pajtuar me propozimin. Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim./albanianpost/