Kosova përkujton 3-vjetorin e luftës në Ukrainë – Osmani: Humbja e saj, humbje edhe për ne

E publikuar: 24/02/2025 19:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, disa nga ambasadat evropiane në Kosovë kanë përkujtuar trevjetorin e fillimit të luftës kundër Ukrainës.

Në këtë ngjarje, ku mori pjesë Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Zyra e BE-së në Kosovë, Presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes për Ukrainën.

Ajo ka shprehur solidaritetin e Kosovës, e cila ” i ka dhënë Ukrainës gjithçka që ka mundur, qoftë armatim apo mbështetje të palëkundur”.

Presidentja tha se humbja e Ukrainës është edhe humbje për Kosovën, ndërsa mbështetja për Ukrainën është një angazhim për të ardhmen, për një botë më të sigurt, ku askush nuk largohet nga shtëpia për shkak të luftës.

Ajo ka thënë se shpreson që Ukraina të dalë nga kjo luftë shpejt dhe të jetojë në liri.