Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani ka nënshkruar sot marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes të cilit Kosova përfiton mbi 33 milionë dollarë nga organizata USAID.
Marrëveshja ndërlidhet me objektivat zhvillimore USAID për pesë vjetët e ardhshëm dhe synon një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritjen e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.
Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.
Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, duke thënë se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.
“Investimi i vazhdueshëm i SHBA-së përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Osmani.