Kosova, edhe pse ka një sipërfaqe të vogël, ka pozitë të volitshme gjeografike dhe disponon me resurse të mjaftueshme nëntokësore, mbitokësore, humane dhe klimë të përshtatshme, nëbazë të të cilave mund të sigurojë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Por, këto resurse, sipas tyre, kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së aftësive të autoriteteve vendore për t’i shfrytëzuar dhe promovuar ato para investitorëve ndërkombëtarë.
Eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, përmend disa resurse që konsiderohen të leverdishme për një zhvillim ekonomik.
“Sa i përket sektorit që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik, mendoj se është sektori i energjisë dhe minierave , pasi ky treg është sektor jashtëzakonisht atraktiv sa i përket rritjes së importit dhe përmirësimit të bilancit tregtar të Kosovës…pastaj vjen sektori i bujqësisë dhe ushqimit, është sektori i turizmit, Teknologjia Informative (IT-së), sektori i shërbimeve ‘online’, etj.”, thotë Gashi.
Edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë theksojnë se Kosova ka mjaft resurse, por resursi kryesor është faktori njeri.
Përveç kësaj, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, përmend edhe sektorë të tjerë potencial, të cilët, sipas tij, nëse shfrytëzohen do të gjenerojnë zhvillim ekonomik dhe rritje të punësimit.
“Kurse, pasuria natyrore që do të gjenerojë zhvillim, punësim dhe eksport janë minierat dhe mineralet, të cilat pothuajse shumica janë në shkatërrim e sipër. Dhe shumica e tyre, disa janë shitur në duar të sigurta të investitorëve dhe ato më shumë shfrytëzohen për destinacione tjera, dhe jo shitje apo eksport të minierave”, thotë Shahini.
Toka paraqet resursin kryesor natyror, sipas ekspertëve. Në këtë sipërfaqe mund të ketë zhvillim të sektorit të bujqësisë, sektor ky që do të mund të sillte prodhim të produkteve ushqimore, rrjedhimisht rritjen e eksportit dhe ulje të nivelit të importit, thotë Naim Gashi.
“Kosova nuk është një vend pa potenciale. Kosova ka potenciale të mëdha edhe humane dhe natyrore, por fatkeqësisht ato potenciale nuk janë shfrytëzuar deri më tani. Dhe aktivizimi i këtyre potencialeve mendoj se do të gjeneronte zhvillim, shërbim dhe prodhim…ato do të ishin konkurrente jo vetëm në tregun e brendshëm në Kosovë, për të ulur varshmërinë nga importi, por do të ishin konkurrente edhe në rajon edhe më gjerë”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë kuadër,ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, disa herë kanë përmendur se Kosova ka një fond të konsiderueshëm pyjor dhe ujor, kurse në aspektin gjeografik Kosova – edhe pse më hapësirë e vogël – është shumë tërheqëse.
Kurse, sa i përket resurseve energjetike, Kosova është shumë e pasur me thëngjill dhe linjit, duke mos anashkaluar edhe pasuritë që ka me metale, e sidomos ato të ngjyrosura. (REL)