Dy filma që ngjarjen e zhvendosin në kohën e pasluftës – njëri që vë në fokus dy personazhe që ndihen të humbur dhe kërkojnë pranimin, e tjetri i konceptuar si homazh për një gjeneratë me protagonistin që e përmbyll qarkun jetësor në një gjendje të rëndë vetmie – janë përmendur se mund të jenë propozim i Kosovës për “Oscar”.
“T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit e “Eho” i Dren Zherkës, sipas QKK-së, janë filma që mund t’i plotësojnë kriteret për të qenë propozimi që do t’ia bëjë Akademisë prestigjioze, për shqyrtim në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, shkruan sot “Koha Ditore”. Të martën, për të katërtin vit, QKK-ja e ka publikuar thirrjen për filmbërësit që t’i dërgojnë propozimet për konsiderim për çmimin “Oscar”, që mund ta përfaqësojë Kosovën sivjet.
Në thirrjen e QKK-së thuhet se të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e vendit, duke nisur nga data 1 tetor i vitit 2016 e jo më larg sesa data 30 shtator e këtij viti, e të cilët i plotësojnë edhe kushtet e tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”.
Data e fundit për dorëzimin e propozimeve është 10 shtatori i këtij viti, por deri më tani as “Eho” dhe as “T’padashtun” nuk janë shfaqur në kinematë e Kosovës për shtatë ditë rresht. Nominimet për çmimet “Oscar” do të bëhen të ditura më 23 janar, përderisa ceremonia e 90-të e ndarjes së çmimeve prestigjioze do të mbahet më 4 mars të vitit që vjen.
Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës mbetet nominimi i filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok” në kategorinë “Best Live Action Short”, në ceremoninë “Oscars” të vitit 2016. /KohaDitore/