Kosova pa fond emergjent

E publikuar: 08/01/2016 09:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Malishevës pësoi më së shumti nga vërshimet që ndodhën ditën e mërkurë, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Tani rreziku ka kaluar, por që dëmet e shkaktuara Komuna nuk do të mundë t’i mbulojë me buxhetin vetanak, prandaj i duhet ndihma e Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, ekzekutivi nuk e ka krijuar ende një fond emergjent, i cili do të shfrytëzohej në raste të katastrofave, qoftë nga vërshimet, zjarret apo ndonjë katastrofë tjetër.

Qeveria është e obliguar ta krijojë fondin emergjent

Drejtori i Departamentit të Gatishmërisë në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Hajriz Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se sipas ligjit, komunat janë ato që duhet të bëjnë vlerësimin e rreziqeve dhe në rastet kur nuk mund t’ia dalin me resurset e veta, atëherë niveli qendror intervenon sipas planit të reagimit kombëtar.

Mirëpo, Sejdiu thotë se Qeveria është e obliguar ta themelojë një fond emergjent.

“Nivelet kur nuk mund t’i përballojnë këto rreziqe, atëherë thërrasin nivelin qendror. Edhe Qeveria është e obliguar që ta krijojë një fond emergjent. Qeveria tash kohëve të fundit e ka bërë një fond rezervë, që quhet Fondi i rezervave të shtetit, mirëpo nuk ka fond emergjent. Por e krijon një fond emergjent ad hoc, duke u bazuar në vlerësimin e dëmeve. Sepse Qeveria nuk mund të japë para nivelit lokal pa u bërë vlerësimet e dëmeve”, ka thënë Sejdiu. /Zëri/