Komisioni i BE-së dhe shtetet anëtare do të jenë në gjendje të rivendosin kërkesat për viza më shpejtë dhe më lehtë sipas rregullave të reja të miratuara nga negociatorët e Parlamentit dhe Këshillit, të mërkurën.
Raportuesi i Parliamentit për propozimin, Agustín Díaz de Mera, vuri në dukje se “ndryshimet e rëna dakord sigurojnë fleksibilitet për aktivizimin e shpejtë të mekanizmit të pezullimit”. Ai gjithashtu theksoi se marrëveshja “do të lehtësojë shqyrtimin e menjëhershëm të dy propozimeve liberalizimit të vizave për Gjeorgjinë dhe Ukrainën,” por nuk përmendi edhe Kosovën.
Por, në rastin e Kosovës mbetet të përmbushen edhe dy kushte: ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pa përmbushjen e këtyre kushteve nga Kosova, thonë në BE, nuk do të ketë ecje përpara në proces, ndërkohë që dy shtetet tjera i kanë përmbushur të gjitha kushtet dhe atyre pritet së shpejti t’u hiqen vizat.
“Flisni me ata që kanë bllokuar këtë vendim përkundër asja që ekspertët ndërkombëtarë e konfirmojnë se marrëveshja është në rregull”, ka reaguar ish ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel.
Edhe raportuesja rreth procesit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka shkruar se vazhdon të kërkojë liberalizim të vizave për Kosovën.
Marrëveshja joformalisht është hedhur në votim në Komitetin për liri qytetare të enjten rreth mesditës. Ajo do të duhet të miratohet edhe nga Parlamenti si tërësi, ndoshta javën e ardhshme, dhe në qeveritë kombëtare.
Sipas marrëveshjes, kërkesat për viza mund të rikthehen, për një vend jo anëtar të BE-së në një ose më shumë nga rastet e mëposhtme:
- Në rast të një rritjeje të konsiderueshme të numrit të shtetasve të atij vendi që i është refuzuar hyrja, apo kanë qëndruar në mënyrë të parregullt në territorin e BE-së,
- Në rast të një rritjeje të konsiderueshme në të gjitha kërkesat të pabaza për azil, ose
- Nëse ka mungesë të bashkëpunimit në ripranimet apo kthimit të emigrantëve.
Rishikimi i mekanizmit të pezullimit të vizave, i cili ka ekzistuar që nga viti 2013, është e lidhur me propozimet për dhënien akses pa viza në BE për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Kosovë, që aktualisht janë në diskutim.
Si punon?
Sipas projekt-ligjit, shtetet anëtare dhe Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të vendosin mekanizmin e pezullimit. Komisioni do të jetë përgjegjës për monitorimin e situatës në vendet e përjashtuara nga vizat, dhe i raporton Parlamentit dhe Këshillit nëse ata ende plotësojnë kushtet e heqjes së vizave, si respektim i të drejtave të njeriut.
Pas një njoftimi nga një shtet anëtar, ose një kërkese nga një shumicë e thjeshtë e vendeve anëtare, ose bazuar në raportin e vet, Komisioni brenda një muaji mund të vendosë të pezullojë heqjen e vizave për nëntë muaj. Ky vendim do të hyjë në fuqi automatikisht.
Gjatë periudhës së pezullimit, Komisioni duhet të përpiqet, së bashku me vendin në fjalë, që të gjejë zgjidhje për rrethanat që çuan deri tek pezullimi.
Zgjatja e një restaurimi të përkohshëm të regjimit të vizave
Nëse situata vazhdon, Komisioni do të duhet të paraqesë, në dy muajt e fundit para përfundimit të periudhës nëntë-mujore, një propozim që të zgjasin rivendosjen e përkohshme të kërkesave për vizë për një periudhë shtesë prej 18 muajsh. Të dyja, deputetët dhe shtetet anëtare mund të kundërshtojnë këtë vendim.
Komisioni mund të vendosë në çdo moment për të paraqitur një propozim legjislativ për të lëvizur një vend jo anëtar i BE-së nga lista e vendeve që përjashtohen nga kërkesa për vizë në listën e atyre që janë subjekt i tyre.
Synohen kategoritë e shtetasve të vendeve të treta
Pezullimi për heqjen e vizave mund të synojë disa kategori të shtetasve të vendit të tretë në fjalë. Draft-teksti thekson, megjithatë, se këto kategori do të duhet të adresojnë mjaftë shumë problemet specifike të përcaktuara, duke qenë në përpjesëtim me rrezikun.
Mekanizmi për pezullimin e vizave nuk do të zbatohet për Mbretërinë e Bashkuar ose Irlandën.
Kronikën mund ta ndiqni në VIDEO:
/gazetatribuna/



















