Kosova nuk mposhtet as nga Zvicra, ëndrra për në Botërorin 2026 vazhdon

E publikuar: 18/11/2025 22:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndeshja e fundit të Grupit B për kualifikimet e Botërorit 2026 ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat 1–1. Ruben Vargas kishte kaluar Zvicrën në epërsi në minutën e 47-të, ndërsa Florent Muslija barazoi për Kosovën në minutën e 74-të, duke vendosur shifrat përfundimtare.

Me këtë rezultat, Zvicra mbyll grupin në vendin e parë me 14 pikë dhe siguron kualifikimin direkt për në Botëror. Kosova përfundon e dyta me 11 pikë, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e play-off-it, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Ky rezultat shënon një sukses historik për Dardanët, që për herë të parë arrijnë të përfundojnë si të dytët në grup në kualifikimet për një Kupë Botërore dhe të sigurojnë mundësinë për të luftuar për një vend në Botëror përmes play-off-it. Atmosfera në Prishtinë, tifozët dhe futbollistët janë bërë pjesë e një momenti historik për futbollin kosovar.