Rreth 179 prona të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë.
Një numër i madh i këtyre ndërmarrjeve gjenden edhe në territorin e Serbisë, shkruan Gazeta Express.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore.
Në territorin e këtij shteti Kosova i ka në pronësi një fabrikë, disa ndërtesa administrative, tokë, rreth 75 lokale, 10 objekte të zyrave si dhe 4 depo.
Kosova, po ashtu, ka prona edhe në territorin e Malit të Zi 36, në Bosnjë dhe Hercegovinë 18, kurse prona të tjera gjenden në Kroaci, në Maqedoni dhe në Slloveni.
Prej tyre, 17 prona i takojnë kombinatit metalurgjik “Trepça”. 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.
Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të privatizimit në vitin 2003, AKP-ja ka privatizuar 1290 prona brenda territorit të Kosovës dhe asnjë pronë në vendet e rajonit.
Ndërsa, të paprivatizuara kanë mbetur edhe 1680 prona, kryesisht lokale, tokë bujqësore dhe fabrika./GazetaExpress/