Kundërshtimi i hapur i Aleksandar Vuçiq se nuk do të implementojë pjesën e planit franko gjerman që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, respektivisht në OKB ka nxitur reagimin e Kryeministrit Kurti i cili tha se kjo do të përbënte shkelje të propozimit europian. Sipas Nova.rs(medium serb që kundërshton politikat e Vuçiq), ndërmjetësit janë duke u përpjekur që të gjejnë një kompromis për këtë. Nova ka publikuar një dokument ku thuhet se Kosova s’do të aplikojë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara pa pajtimin e pesë vendeve anëtare permanente ku bëjnë pjesë edhe Rusia e Kina që s’e kanë njohur Kosovën.
Sipas “Novas”, Kosova nuk do të kërkojë anëtarësim në Kombet e Bashkuara pa pëlqimin e qartë të të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Francës, Britanisë së Madhe, Amerikës, Rusisë dhe Kinës. Kështu thuhet në një dokument të cilin gazeta “Nova” thotë se e ka siguruar e i cili sipas tyre është hartuar nga diplomatët që punojnë në Udhëzuesin për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane. Në këtë mënyrë po tentohet t’i gjendet zgjidhje kundërshtimit të Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, që interpretohet si njohje joformale e pavarësisë.
Tërë kohën sipas interpretimit të gazetës serbe, pëlqimi i Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare parashikohet në pikën 4 të projektmarrëveshjes dhe është kundërshtimi kryesor i palës serbe.
Në dokumentin e titulluar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Zbatimi i nenit 4” thuhet se ky propozim është frymëzuar nga Traktati Themeltar i Dy Gjermanive të vitit 1972 dhe se nuk ka të bëjë me njohje reciproke, por për bashkëjetesën dhe bashkëpunimin paqësor.
“Republika Federale e Gjermanisë nuk e njohu kurrë Republikën Demokratike Gjermane dhe anasjelltas. Megjithatë, Traktati Themelor i vitit 1972 bëri të mundur që dy Gjermanitë të pranojnë realitetin e ekzistencës së tjetrës. Kjo gjithashtu u mundësoi vendeve perëndimore të zhvillojnë marrëdhënie me RDGJ. Nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me vendosmërinë e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian, së shpejti do të ndodhë normalizimi i plotë përmes njohjes reciproke. Tani për tani, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore, pavarësisht dallimeve, është e vetmja gjë që bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Serbia dhe Kosova”, thuhet në dokumentin që diplomatët evropianë kanë përgatitur si shtojcë e Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane.
Kur bëhet fjalë për mosmarrëveshjet rreth pikës 4, thuhet si në vijim:
“Autoritetet serbe pretendojnë se fakti që Serbia nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB paraqet shkelje të qëndrimit themelor të Serbisë për të mos e njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Sipas mendimit të tyre, anëtarësimi në OKB është ekskluzivisht për shtetet sovrane dhe të pavarura. Prandaj, pëlqimi nënkupton njohje indirekte. Kjo nuk është domosdoshmërisht rasti”.
Në mbështetje të kësaj citohen shembuj të Ukrainës dhe Bjellorusisë, si dhe rasti i Izraelit. Po ashtu përmendet rreziku që i kanoset Serbisë nëse nuk e pranon këtë.
“Sa i përket pikës së fundit, Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se në ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe tensioneve në rritje ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, është e mundur të arrihet një marrëveshje për stabilizim shumë shpejt. Anëtarësimi i Kosovës në OKB mund të përfundojë në këtë aranzhim. Në atë Në skenar, Serbia do të humbiste gjithçka, përfshirë Kosovën dhe mbështetjen e nevojshme nga Perëndimi. Kjo shtesë e thjeshtë e marrëveshjes, e cila nuk thotë asgjë tjetër veçse të dukshmes, mund të bëhet politika e sigurimit të Serbisë”, përfundon dokumenti i publikuar në Nova.