Kosova do të organizojë konferencën e 4-të ndërkombëtare ndërfetare në të cilën do të nxirren në pah roli, përvoja dhe kontributi i Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në debatin global mbi promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Konferenca e sivjetme e nivelit të lartë do të përfshijë prezantimet dhe fjalimet kryesore nga liderë botërorë fetarë, ministra dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, ndërmarrës, përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile me synim që të lëvizet nga debati publik drejt krijimit të mjeteve që do t’u shërbejnë brezave të rinj të aktivistëve socialë.
Në mesin e më shumë se 200 pjesëmarrësve në konferencë do të ketë edhe delegatë të rinj të cilët do të udhëtojnë nga vende të largëta si Afganistani, shtete të Amerikës e Jugut dhe Nigerisë për të shkëmbyer ide për mënyrat e luftimit të ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes në internet.
Kjo konferencë, e cila fillon të enjten, më 28 maj, dhe mbaron më 30 maj, do t’i bashkojë të rinjtë nga Kosova, Ballkani dhe komuniteti global për t’u takuar me krerë fetarë, diplomatë, juristë, gazetarë, udhëheqës të OJQ-ve, akademikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Në ngjarjen e titulluar Dialogu ndërfetar në kohën e medieve sociale: Jetësimi i agjentëve të ndryshimit, kundërvënia ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes, pjesëmarrësit do të shkëmbejnë përvojat dhe idetë e tyre për sfidimin e ekstremizmit në internet.
Kryetarja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh se i vjen mirë që Republika e Kosovës është nikoqire e dialogut “për të gjetur mënyra se si rrjetet sociale të bëhen përçues të dijes e tolerancës dhe bartës të ndryshimit”.
Petrit Selimi, zëvendëskryeministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, i cili do të drejtojë një punëtori mbi Diplomacinë Digjitale në konferencë, tha: “Kosova është përgatitur edhe një herë që të mirëpret më shumë se 200 mysafirë nga e gjithë bota për të diskutuar çështjet ndërfetare, këtë vit me një fokus të veçantë në luftimin e mesazheve ekstremiste nëpërmjet medieve sociale”.
Shkëlqesia e Tij Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, i përgëzoi organizatorët për vazhdimin e promovimit të vlerave të bashkëjetesës ndërfetare dhe theksoi se “mënyra më e mirë për të demonstruar besimin tuaj është përmes respektimit të besimit të të tjerëve”.
Zyrtarja e lartë ekzekutive pranë Facebook, Monika Bikert do t’u adresohet aktivistëve socialë nga mbarë bota në konferencën që do të mbahet këtë fundjavë.
Bikert, drejtuese për politika të produkteve në Facebook, u shpreh se e mirëpret konferencën dhe shtoi: “Jam e ngazëllyer që do të prezantoj në konferencën e sivjetme ndërfetare rreth punës që Facebook bën për të siguruar se ky rrjet social mbetet një vend i sigurt dhe i respektueshëm për njerëzit që dëshirojnë të bëjnë shkëmbime dhe të lidhen me familjet dhe miqtë e tyre. Me shumë kënaqësi e pres mundësinë që të vij dhe të takohem me të rinj nga e gjithë bota, Ballkani dhe vet Kosova”
Folësit e tjerë në këtë ngjarje përfshijnë prokurorin ndërkombëtar Sir Geoffrey Nice, rabinin kryesor të Norvegjisë, Michael Melchior, kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin e parë njëherësh ministrin e jashtëm, Hashim Thaçi.
Konferenca fillon të enjten, 28 maj, me fillim në orën 17:00, në hotelin “Swiss Diamond”.
Konferenca organizohet nga Ministria e Pun ëve të Kosovës dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar (IIID), me mbështetje të Kombeve të Bashkuara, Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshillit Britanik, Ambasadës britanike, Zyrës së Bashkimit Evropian.