Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë thënë se dialogu i nivelit të lartë politik me Serbinë në Bruksel nuk do të vazhdojë derisa të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura .
Ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, tha të enjten se nuk do të ketë asnjë takim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në nivel kryeministrash derisa të arrihet progres në zbatimin e marrëveshjeve paraprake.
“Nuk od të ketë ndonjë takim të nivelit politik para se të arrihen rezultate konkrete”, apo derisa të dyja palët të arrijnë në qëndrime të njëjta rreth çështjeve, tha Tahiri për Balkan Insight.
Ajo tha se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherini “beson se nuk ka arsye për takime të tilla” derisa të shihet progresi.
Ndërkohë grupet punuese do të vazhdojnë të takohen gjatë majit, dhe progresi në këto takime do ta përcaktojë datën e takimit të ardhshëm ndërmjet dy kryeministrave.
“Ne do të kemi një seri takimesh këtë muaj. Suksesi i këtyre takimeve do ta përcaktojë datën e takimit të ardhshëm të nivelit politik”, tha Tahiri.
Takimet do të përqendrohen në sigurimin e automjeteve, aspekte të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe mundësinë e hapjes së dy pikave të reja kufitare.
Udhëtimi i ndërsjellë Kosovë- Serbi është bërë i vështirë për shkak të tarifave të larta të sigurimit në kufi, dhe për shkak se veturat e regjistruara në vendin tjetër duhet të pajisen me tabela të përkohshme regjistrimi për të kaluar, përveç problemeve tjera.
Tahiri tha se është gjetur një zgjidhje për problemin e sigurimeve, por u shpreh se “Serbia po e bllokon marrëveshjen tash e pesë muaj”./ kallxo.com