Kosova i ka mësuar emrat e kundërshtarëve të Davis Cup, respektivisht Botërorit të tenisit për shtete, pas shortit të hedhur të martën, shkruan Zëri.
Siç njofton uebfaqja zyrtare e Davis Cup, Kosova do të garojë në Grupin D, së bashku me Greqinë, Estoninë dhe Lihtenshtajnin, në evenimentin që nis sot dhe zgjat deri më 5 mars në Tallin të Estonisë.
Federata e Tenisit të Kosovës (FTK) shpreson që Përfaqësuesja ta arrijë së paku një fitore, në debutimin e saj në Davis Cup.
“Me Lihtenshtajnin do të luajmë të premten dhe aty e presim shansin, sepse Estonia dhe Greqia janë larg nesh”, deklaroi për “Zërin” kryetari i FTK-së, Shkëlzen Domi.
Kosovën e përfaqësojnë Hyda Banjska, Granit Bajraliu, Gurash Hasani e Meldin Mustafi, të cilët udhëhiqen nga trajneri Jeton Hadërgjonaj.
Kosova luan të mërkurën nga ora 15:00 me kohën lokale në Kosovë, kundër Greqisë, ndërsa të enjten në të njëjtën kohë me Estoninë e të premten me Lihtenshtajnin. /Zëri/