Kosova merr mësim nga Kroacia, për zbatimin e MSA-së

E publikuar: 03/03/2016 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka zhvilluar një takim me Ambasadoren e Kroacisë, Marija Kapitanović dhe sekretarin e parë Mladen Glavina, të cilët u dakorduan për një sërë takimesh me fokus të veçantë konkretizimin e bashkëpunimit në zbatimin e MSA-së.

Zëvendësministri Ilazi ka falënderuar ambasadoren Kapitanović për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Republika e Kroacisë për Kosovën, në veçanti në procesin e integrimit evropian.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve, gjatë takimit zëvendësministri Ilazi diskutoi për çështje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, përgatitjet që po bëjnë institucionet e Kosovës në implementimin e MSA-së, duke theksuar që Kosova ka nevojë për përvojën dhe ekspertizën kroate në zbatimin e MSA-së.

Në anën tjetër, ambasadorja Kapitanović ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kroacisë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Zëvendësministri Ilazi dhe ambasadorja Kapitanović u dakorduan për një sërë takimesh me fokus të veçantë konkretizimin e bashkëpunimit në zbatimin e MSA-së. /lajmi.net/