Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë ka pranuar të mërkurën mbështetje nga homologja e tij e Shqipërisë, Orgeta Manastirliu për për trajtinin e pacientëve kosovar me radioterapi.Në letrën e ministres Manastirliu, thuhet se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës, dhe gjendemi pranë në këtë situatë të krijuar si pasojë e kushteve atmosferike”.
“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhr Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër.
Në këtë kuadër, thuhet në vazhdim të letrës, po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjikë Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaviteteve të Shërbimit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe një herë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim”, përfundon letra mbështetëse e ministres Manastirlu dërguar ministrit Latifi.