Faqe të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së e ka quajtur presidenti Hashim Thaçi marrëveshjen me MCC-në për 49 milionë dollarë donacion, të cilat do të përqendrohen në sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik.
Shkaku i mos luftimit të korrupsionit dhe zhvillimit të dobët ekonomik, Kosova nuk arriti të merrte 500 milionë dollarë donacion nga Agjencioni Federal Amerikan “Korporata e Sfidave të Mileniumit”. Ky donacion i shkoi Nepalit që ka arritur sukses në sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik.
Në njoftimin e MCC-së për ndarjen e 500 milionë dollarëve për Nepalin thuhet ky shtet ka avancuar në sundim të ligjit, në lirinë ekonomike dhe ka investuar në popullin e saj, ndërsa Thaçi marrëveshjen për 49 milionë dollarë e ka quajtur si “mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës”.
“Këto investime do ta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me bërjen e Qeverisë transparente për qytetarët”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
“Do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj administratës amerikane, kongresmenëve dhe senatorëve për përkushtimin e tyre ndaj Kosovës dhe për sjelljen e MCC-së”, ka shtuar ai.
“Tani është obligim i institucioneve të Kosovës që të fillojnë të punojnë që nga nesër për ta bërë këtë marrëveshje një arsye për festim për mijëra njerëz në Kosovë”.
Për nënshkrimin e marrëveshjes për 500 milionë dollarë për Nepalin shkoi ministri i financave të këtij shteti, derisa për 49 milionë dollarët për Kosovën shkoi për të nënshkruar në Washington presidenti Thaçi.
500 milionë dollarë është granti më i madh i MCC-së dhe jepet përmes përzgjedhjes garuese mes vendeve të varfra që janë qeverisur më së miri.