Kosova me çmim mesatar të naftës

E publikuar: 11/01/2016 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak se në tregun botëror ka mbiprodhim të naftës dhe kërkesa më të vogla për të, çmimet e saj po bijnë edhe në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Fadil Berjani për Kallxo.com tha se çmimi i naftës pritet të ulet ende.

“Çmimi i naftës është duke rënë çdo ditë e sipër dhe po reflekton shumë mirë në Kosovë, ku sipas OPEC-ut prodhimi është tejmase i lartë dhe kjo e mundëson që në tregjet botërore të bie çmimi, por edhe në Kosovë,” tha Berjani.

Çmimin aktual të naftës e tregoi edhe Besnik Çitaku,pronar i NTSh “Burimi”, njëri nga tregtarët e derivateve.

“Çmimi aktual i shitjes së naftës është ndërmjet 0,88 euro deri 0.90 euro dhe do te vazhdojmë t’i zbresim çmimet nëse vazhdohet të ketë rënie të çmimeve në tregun botëror,” tha Çitaku.

Në vebfaqen e Global Petroleum Prices, e cila publikon çmimin e karburanteve me pakicë thuajse në të gjitha vendet e botës, edhe pse nuk është e përfshirë Kosova, vendi ynë mund të klasifikohet me çmimin mesatar të naftës në glob.

Në tregjet financiare çmimi i naftës ka arritur në nivelin më të ulët gjatë kësaj dekade të fundit.

Aktualisht nafta e tipit “Brent” që tregtohet në bursat evropiane, këtë të enjte është kuotuar me 30.02 euro (32.6 dollarë amerikanë) për fuqi dhe deri më tani ky është çmimi më i ulët qysh nga prilli 2004.

Kjo rënie e çmimit të naftës po diktohet nga mbioferta në treg. Prodhimi rekord po vjen në një kohë kur ekonomia botërore kërkesën për naftë e ka reduktuar shkak të krizës globale.

Qysh nga qershori i vitit të kaluar, teprica e vazhdueshme e ofertës po e ul me shpejtësi çmimin e naftës.

Sipas parashikimeve, çmimi i naftës do të mbetet i ulët edhe gjatë këtij viti, pasi do të duhen muaj që të harxhohet teprica e naftës së krijuar në treg.