Në vitin 2010 katër shtete kishin marrë inciativën për ta themeluar minishengenin ballkanik. Asokohe ishin bashkuar Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria ndërsa Serbia kishte mbetur anash. Por, e kundërta po ndodhë tani. Edi Rama po mundohet këtë projekt ta çojë përpara me Serbinë, e cila la anash Kosovën në takimin e parë në Novi Sad, ndërkohë që kryeministri shqiptar po insiston që Kosova është e ftuar pa kushte në këtë nismë, gjë që nuk është e vërtetë. Më poshtë po ua sjellim raportimet e mediave rreth samitit të vitit 2010 në Prevallë kur ishin mbledhur Fatmir Sejdiu, Filip Vujanoviq, Gjorgje Ivanov dhe Presidenti Bamir Topi takime që i kishin vazhduar me rotacion, edhe pse nisma e tyre nuk kishte pasur sukses.
Liderët ballkanikë mbështesin idenë e “mini-shengenit”
Në kuadër të mini-samitit të tretë ballkanik, të mbajtur në Prevallë të Prizrenit, liderët e katër vendeve të rajonit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për krijimin e një mini-shengeni ballkanik dhe kanë adresuar gatishmëri dhe mesazhe bashkëpunimi.
Takimi është thirrur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ku kanë marrë pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.
Pas një takimi të përbashkët, të katër presidentët janë zotuar për bashkëpunim dhe raporte të mira ndërfqinjësore.
Nikoqiri i takimit, presidenti Sejdiu, ka thënë se temë bosht ishte liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në këtë pjesë të Evropës, duke ripërsëritur kërkesën e tij për një mini-shengen ballkanik.
“Andaj, sot mund të themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, të një mini-shengeni ballkanik, apo të Evropës juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese për plan më të gjerë”, ka thënë Sejdiu.
Organizimi i këtij mini-samiti në Kosovë, është përshëndetur nga të gjithë pjesëmarrësit.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka thënë se për dy vjet, Kosova po dëshmohet si shtet që tregon gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, vlerë kjo, sipas tij, e standardeve të përparuara evropiane.
“Bashkëpunimi ynë do t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes së stabilitetit rajonal, luftës kundër krimit të organizuar kontrabandës, forcimit të kufijve nga pikëpamja e administrimit të këtyre elementeve dhe hapjes së kufirit për sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave”, është shprehur Topi.
Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka thënë se mini-samite të tilla prodhojnë edhe rezultate konkrete. Ai ka marrë shembull thellimin e bashkëpunimit Kosovë – Maqedoni në periudhën ndërmjet samiteve të deritashme.
Fatmir Sejdiu, Filip Vujanoviq, Bamir Topi dhe Gjorgje Ivanov gjatë takimit në orët e paradites në Prevallë
“Kur bëjmë elaborimin e samitit të Vlorës deri me këtë të sotmin në Prizren, janë shënuar përparime evidente në raportet ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës”.
“Ne kemi zgjidhur çështjen e kufirit, pastaj kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash, si dhe kemi nënshkruar shtatë marrëveshje, gjë që tregon se kemi vendosur kornizat e bashkëpunimit ndërshtetëror”, ka theksuar Ivanov.
Intensifikimi i bashkëpunimit rajonal është prioritet i politikës së Podgoricës, ka thënë në anën tjetër presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Ndërsa ka mbështetur idenë e Sejdiut për mini-shëngenin ballkanik, Vujanoviq ka përkrahur përfshirjen edhe të vendeve tjera në nismat rajonale, duke veçuar Serbinë.
Ai ka mbështetur dialogun Kosovë – Serbi, por për agjendën dhe temat e diskutimeve, Vujanoviq ka thënë se duhet respektuar interesat e shteteve pjesëmarrëse në dialog.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet në bazë të dy realiteteve. Realiteti i parë është se deri më tash pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 69 shtete, të cilat kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, disa prej të cilave edhe në nivel ambasadash”.
“Ndërsa, realiteti i dytë është se 123 shtete të OKB-së ( Organizata e Kombeve të Bashkuara) ende nuk e kanë njohur Kosovën. Duke respektuar këto dy realitete, mendojmë se duhet mbështetur këtë dialog, që do t’i sillte të mira edhe Serbisë, edhe Kosovës”, ka thënë Vujanoviq.
Mini-samiti i Prevallës afër Prizrenit nuk është adresuar kundër askujt, pra as kundër Serbisë, ka shtuar ndërkohë presidenti Sejdiu.
Ai ka sqaruar se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë edhe me këtë shtet, por duke respektuar parimin e dialogut që zhvillojnë dy shtete sovrane.
“Kjo është një qasje praktike që mendojmë dhe shpresojmë në komunikimet edhe me vendet tjera të rajonit, pra edhe me Serbinë, e ardhmja e vendeve të rajonit dhe progresi i tyre është në bashkëpunim, por gjithmonë në respektimin e sovranitetit të secilit vend dhe veçantive e kualiteteve të secilit vend”, ka theksuar Sejdiu.
Qëndrimi i Sejdiut për dialogun me Beogradin është mbështetur edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ai ka thënë se vendosja e dialogut nënkupton respektimin e sovranitetit ndërmjet shteteve.
Ndryshe, mini-samiti i Prevallës afër Prizrenit ka filluar në orët e paradites me takimet bilaterale, sipas modelit secili me secilin. Kurse, ka përfunduar me takimin e përbashkët, pas të cilit të katër presidentët u zotuan të thellojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Paraprakisht, mini-samite të ngjashme janë mbajtur edhe në Vlorë dhe Ohër. Në mbrëmje Vujanoviq pritet të largohet nga Prevalla, kurse të dielën për në vendet e tyre do të largohen edhe Topi e Ivanov.

“Madhështore të kthehem përsëri në Shqipërinë e dashur dhe të takohem me kryeministrin Edi Rama, lidhur me perspektivat për bashkëpunim rajonal, përparim ekonomik dhe rritje gjithëpërfshirëse”, kishte shkruar Soros në llogarinë e tij zyrtare.
Pas kësaj vizite në Tiranë, Rama tashmë ishte angazhuar bashkë me Vuçiqin për fillimin e përpjekjeve për jetësimin e projektit, duke e caktuar Novi Sadin si qytetin e parë ku do të mblidheshin bashkë edhe me Zoran Zaevin.
Më 10 tetor të vitit 2019, Aleksander Vuçiq kishte pritur në Novi Sad, Edi Ramën e Zoran Zaevin, duke filluar kështu edhe zyrtarisht përpjekjet për jetësimin e idesë së ashtuquajtur “Minishengen”.
Në këtë takim ishin pajtuar kryeministri maqedonas të ishte nikoqiri i takimit të ardhës, duke caktuar 10 nëntorin si datën kur do të mblidheshin në Ohër.
E pikërisht në këtë datë, kur po mbahej Samiti, në Ohër kishte aderuar në mënyrë sekrete edhe avokuesi i projektit për jetësimin e “Minishengenit” Alexander Soros. Ai kishte takuar kryeministrin dhe presidentin maqedonas fshehurazi.


“Zaev dhe Pendarovski mbajnë një takim sekret në Ohër me Alexander Sorosin”, është titulli i artikullit të gazetës maqedonase ‘Republika’ në të cilën janë publikuar edhe foto se si Alexander Soros kishte aderuar në Ohër me aeroplan privat nën masa të rrepta të sigurisë.
Ciklin e vizitave të tij në Ballkanin Perëndimor, Alexander Soros e kishte përmbyllur në Beograd. Vetëm dhjetë ditë pas vizitës në Ohër, ai kishte takuar kreun e shtetit serb, Alexander Vucic, me të cilin kishte diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe synimet për integrim sa më të shpejtë në Bashkim Evropian.
Këtë vizitë në Beograd e kishte bërë publike edhe vetë Alexander Soros.
“Faleminderit Aleksander Vucic për mundësinë që të diskutojmë për forcimin e një shoqërie të hapur në Serbi dhe integrimin Evropian”, kishte shkruar ai më 20 nëntor të këtij viti.

E pas kësaj vizite të Soros në Beograd, ishte radha e Shqipërisë që të organizonte Samitin tjetër Rama-Vuçiq-Zaev.
Megjithatë tërmeti që kishte goditur Durrësin më 26 nëntor kishte bërë që për një kohë të pezulloheshin aktivitetet, për t’i rifilluar përpjekjet më 20 dhe 21 dhjetor në Samitin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë në Tiranë.
Këtë takim në Tiranë si gjithë takimet paraprake e ka bojkotuar Kosova edhe përkundër ftesës që kishte marrë, dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse Edi Rama ishte vërsulur në sulme e ofendime ndaj klasës politike dhe institucioneve të Kosovës.
Shumë analistë e thonë që pa përfshirjen e gjithë shteteve e veçanërisht Kosovës nuk mund të jetësohet një ide e tillë, duke qenë se Kosova është rrugë lidhëse në mes gjithë shteteve të tjera që po synojnë jetësimin e një ideje të tillë.
Takimi i radhës do të mbahet përsëri në Serbi, ndërkohë i gatshëm për të organizuar një Samit për Minishengenin është shprehur edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Mbetet të shihet se si do rrjedh një ide e tillë duke qenë se qëndrimi i SHBA’së është që “pa Kosovën nuk mund të ketë Minishengen”.
E një ide e tillë nuk është që po pëlqehet edhe nga BE’ja. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë për mediat serbe./GazetaExpress/
















