Federata e Basketbollit e Kosovë e ka dërguar në FIBA një listë me emrat e rreth 20 basketbollistëve kosovarë, që kanë luajtur për shtete tjera, shkruan gazeta Zëri.
Shtëpia e basketbollit kosovar e ka kërkuar një interpretim nga FIBA, nëse ata lojtarë do të kenë të drejtë apo jo t’i bashkohen Kosovës, nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë.
Në mesin e tyre janë edhe Edmond Azemi, Samir Shaptahoviq dhe Ersid Luca, të cilët i mbronin ngjyrat e Shqipërisë.
“Ne e kemi dërguar listën në FIBA me emrat e 20 lojtarëve, duke u nisur prej Edmond Azemit e me radhë, që kanë luajtur për shtete tjera. Po e presim interpretimin e FIBA-s”, tha për “Zërin” Leart Hoxha, sekretar i FBK-së.
“Shqipëria edhe ashtu nuk po merr pjesë fare në gara ndërkombëtare, kështu që nuk kemi arsye të mos llogarisim në këta lojtarë që kanë luajtur për Shqipërinë”, theksoi Hoxha, i cili shpreson që FIBA t’ua japë dritën jeshile yjeve që t’i bashkohen Kosovës. /Zëri