Kushtrim Gashi
Analizat e rritjes ekonomike zakonisht shqyrtojnë faktorët që çojnë në rritjen ekonomike. Përndryshe rritja ekonomike përcaktohet si aftësi e ekonomisë së një vendi për të prodhuar gjithnjë e më shumë mallra e shërbime. Rritja ekonomike ka rëndësi jetike për vet faktin se është e lidhur ngushtë me standardin e jetesës së popullsisë së një vendi. Pra Kosovë duke e rritur prodhimin e mallrave dhe shërbimeve në të njëjtën kohë do të rrit edhe standardin e jetesës së qytetarëve. Në ketë formë do të luftohej edhe papunësia që është karakteristik kryesore e recesionit ekonomik.
Zakonisht në bazë të zhvillimit ekonomik përcaktohen edhe pagat në një vend. Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës.
Kosova si një ndër vendet në zhvillim edhe pse ka pas ngritje të jetesës, paga minimale për punëtorët është më e ulëta në rajon. Pothuajse ajo është e njejtë që nga viti 2011 dhe atë në bazë të moshës, ku punëtoret nën 35 vjeç kanë pagë mesatare 130 euro, ndërsa ata mbi 35 vjeç mbi 170 euro. Paga minimale nuk qëndron mirë as në Shqipëri e cila është 156 euro, gjë qe nga kjo mund të kuptojmë se dy shtetet shqiptare kanë pagat minimale më të ulëta në Evropë. Pagën minimale në Kosovë e përcakton qeveria me propozimin e këshillit ekonomik social, të cilin e udhëheq Ministri i punës dhe Mirëqenies Sociale.
Para disa javësh janë publikuar listat e shteteve që kanë pagën mesatare më të madhe mujore në botë. Në ketë listë vendin e parë e zë Zvicra me një pagë mesatare prej 6 mijë e 301 dollarë, pastaj Australia me 3 mijë e 780 dollarë, Danimarka renditet e treta me një mesatare prej 3 mijë e 269 dollarë, SHBA me 3 mijë e 258, e pesta radhitet Irlanda me 2 mijë e 991 dollarë, vendet tjera me radhë janë Anglia, Holanda, Gjermania, Japonia dhe Kanada me një pagë prej 2500 dollarësh.
Për dallim nga vendet e zhvilluara, vendet në zhvillim kanë pagë me të ulët mesatare. Nga vendet e rajonit pagën më të lartë mesatare e ka Sllovenia e cila është rreth 1 mijë euro, pastaj Kroacia me mbi 700 euro, Mali i Zi me mbi 470 euro, Bosnja Hercegovina me mbi 420 euro, Serbia me mbi 380 euro. Shqipëria ka një pagë mesatare rreth 370 euro, Maqedonia rreth 350 euro, kurse Kosova është e fundit në listën e vendeve të rajonit me rreth 300 euro.
Për dallim nga paga minimale dhe mesatare e punëtorëve në Kosovë, liderët e shtetit tonë mund të krenohen se kanë paga me të larta se edhe vendeve të rajonit e më gjerë.
Presidentja e Kosovës Atifeta Jahjaga ka pagën më të lartë se të gjithë liderët e zyrtarët tjerë shtetëror dhe atë 2.873 euro në muaj apo 34.478 (36.456 dollarë) euro në vit, që do të thotë më të madhe se presidenti kinez i cili e ka pagën 22 mijë dollarë në vit edhe pse ekonomia kineze është ekonomia e dytë më e madhe botërore. Presidentja e Kosovës ka pagën më të madhe se edhe kryeministri indian, paga e të cilit është 30 mijë dollarë në vit. Rroga e presidentes sonë është më e madhe se edhe e presidentit të Serbisë i cili e ka 1.450 euro në muaj dhe më e lartë se e presidentit të Çekisë që merr 2200 euro në muaj. Paga e presidentes është më e lartë se e presidentit të Kroacisë që merr 2792 euro, me të madhe se presidenti malazez dhe presidenti rumun që kanë pagë 1800 euro, pra presidentja ka rrogën më të madhe se të një pensionisti rreth 50 herë.
Paga bazë e deputeteve të Kosovës është 1.488 euro plus shtesat nëpër komisione rreth 400 euro, ndërsa deputetet serb rrogën bazë e kanë 750 euro plus shtesat 300 euro.
Edhe drejtorët e Agjencive të pavarura kanë rroga të majme dhe jetojnë në luks, përderisa shumica e qytetarëve jetojnë në varfëri.
Kosova po konsiderohet si një vend i lirë për të fortët dhe i pabarabartë e diskriminues për të gjithë ata që respektojnë ligjin dhe rregullat.
Nga e gjithë kjo mund të themi se Kosova është vend i luksit dhe i politikanëve të shndërruar në milioner, ndërsa vend i mjerimit për qytetarët e saj.
Deri kur do të vazhdon kjo gjendje e deri kur do të pasurohen politikanet në kurriz të qytetarëve ketë askush nuk e di! Ama këta politikan duhet të mos harrojnë një gjë shumë qenësore se kemi një Zot dhe Ai na sheh të gjithëve.
Kosova, ky vend i luksit dhe i milionerëve
NGA KATEGORIA