Pas deklaratës së ambasadorit gjerman, Jorn Rohde se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk ka arritur të bindë kryeministrin Kurti për një kompromis në lidhje me CEFTA-n, i ka reaguar këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Jeton Zulfaj,
“Pas tre vitesh bllokadë nga Serbia brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi” , ka shkruar ai në platformën “X”.
“Kryeministri Kurti u takua sot me të dërguarin special gjerman Manuel Sarrazin për të diskutuar mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA. Pas tre vitesh bllokadë nga Serbia brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tani ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk kanë lidhje mes tyre. Masat e Kosovës nuk lidhen me tregtinë, por burojnë nga kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe janë zbatuar jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, shkroi ai.
“Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejshëm”, theksoi këshilltari i kryeministrit.
Rohde ka thënë se Sarrazin vizitoi sërish Kosovën për t’i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të bëjë kompromis për marrëveshjen për CEFTA-s, por pa sukses. Ambasadori i Gjermanisë ka tërhequr vërejtjen se nëse është e nevojshme do të vazhdohet tutje pa Kosovën.