Kosova ka aleatë për NATO, por a e ka veten?

17.05.2026 13:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Kosova ka aleatë për NATO, por a e ka veten?

Mes një bote në kaos dhe riorganizim, siguria është kthyer në prioritet absolut, dhe për Kosovën, ajo lidhet drejtpërdrejt me NATO-n – aleancën më të madhe ushtarake në botë.

Një momentum i ri për afrimin e saj me të është duke u konsoliduar në qendrat e vendimmarrjes në Uashington, megjithatë shfrytëzimi i tij duket se kërkon shtytje më të fortë politike edhe nga Prishtina.

Për ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, i përfshirë nga afër në bisedimet për avancimin e Kosovës drejt NATO-s, mbështetja nga Uashingtoni përbën një mundësi të rëndësishme. Por, sipas tij, ajo humbet peshë nëse Kosova nuk siguron stabilitet të brendshëm institucional. Anëtarësimi në NATO kërkon, para së gjithash, konsensus politik dhe qasje të koordinuar nga vetë Kosova.

“Pa një Kosovë me institucione, pa një Kosovë me politikë dhe Qeveri të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të hapësh rrugën që duhet për anëtarësimin në NATO”, thotë Mediu për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në fund të prillit, në Kongresin amerikan u hodh një hap konkret: përfaqësuesi Keith Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

Aty, po ashtu, thuhet se “përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e nevojshme për të dekurajuar përpjekjet armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”.

Dhe kjo nuk është nisma e vetme. Një tjetër rezolutë në Kongres, e iniciuar po në fund të prillit nga Torres, Self dhe kongresisti George Latimer, e vendos theksin te prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke e cilësuar atë si kyç për stabilitetin në rajon.

Gjatë një mbledhjeje të kësaj jave të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Self ka theksuar sërish se Kosova ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me NATO-n, ndaj edhe duhet të jetë pjesë e saj.

“Kosova është, padyshim, një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë evropianë të Shteteve të Bashkuara. Në një periudhë të shkurtër kohe, ky shtet i ri ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj qeverisjes demokratike, kontrollit civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesës shumetnike – të gjitha këto e përforcojnë argumentin për anëtarësim në NATO dhe për stabilitet në Ballkan”, ka thënë Self në seancën e 13 majit.

Nga kabineti i kongresistit Torres është shprehur po ashtu mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por dhe për vazhdimin e pranisë së SHBA-së në misionin paqeruajtës KFOR.

“Kongresi shpreson që të shohë anëtarësimin e Kosovës në NATO, mbështetje dypartiake për të mbajtur nivelin e forcave në KFOR dhe procesin e dialogut që nuk e shpërblen Serbinë me lëshime dhe kokëfortësi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Torresit, Benny Stanislawski.

Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si i interpreton ajo rezolutat e fundit në Kongresin amerikan, për komunikimet eventuale me SHBA-në apo NATO-n, si dhe për vlerësimin e pozicionit aktual të Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike.

Zyra e NATO-s në Bruksel tha vetëm se çdo hap i mëtejshëm për të konsoliduar marrëdhëniet e aleancës me institucionet në Kosovë, kërkon konsensus nga të gjithë aleatët.

“Ne i inkurajojmë institucionet në Kosovë që të konsolidojnë qeverisjen e mirë, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. NATO-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes misionit KFOR”, tha një zëdhënës i aleancës për Radion Evropa e Lirë.

Politika e “dyerve të hapura” e NATO-s bazohet në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, i cili përcakton se anëtarësimi është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Kosova e ka të deklaruar prej kohësh synimin për anëtarësim në aleancë dhe ka ndërmarrë hapa në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në përputhje me standardet e saj, por procesi mbetet i bllokuar në aspektin politik, pasi katër vende anëtare të NATO-s nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, dhe çdo zgjerim i ri kërkon konsensusin e të 32 aleatëve.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar ministritë e Jashtme të këtyre katër vendeve – Spanjës, Greqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë – për t’i pyetur nëse po shqyrtojnë rishikimin e qëndrimit të tyre ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Prej tyre është deklaruar vetëm Ministria e Jashtme e Sllovakisë, duke theksuar se qëndrimi i saj mbetet i bazuar në Deklaratën e Parlamentit të vitit 2007, e cila e lidh zgjidhjen e statusit të Kosovës me respektimin e kërkesave të Serbisë dhe normave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe me rezultatin e dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Vëzhguesit thonë se, pavarësisht qëndrimeve të ngurta të shteteve mosnjohëse, rezolutat në Kongresin amerikan – edhe pse joobliguese – e pengojnë Kosovën “të zhytet në harresë”.

Me fjalët e Mediut, ky angazhim lidhet edhe me interesin e SHBA-së për të ruajtur ekuilibrat në Ballkan dhe për të parandaluar rritjen e ndikimeve ruse, kineze dhe serbe në rajon.

“Unë kam bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht nga retorika, NATO-n e shikojnë si një element jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për stabilitetin e Ballkanit, por edhe për një marrëdhënie dhe një influencë më të gjerë gjeopolitike. Dhe, në këtë kuadër, padyshim që është dhe interesi për Kosovën”, thotë Mediu.

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se aktivizmi në Kongresin amerikan duhet kuptuar më shumë si vendosje e një agjende afatgjatë, sesa si ndikim i menjëhershëm. Ai thotë se kjo e mban Kosovën në vëmendjen politike të Uashingtonit dhe krijon hapësirë për një mundësi të ardhshme, kur kushtet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe brenda vetë NATO-s të jenë më të favorshme.

“Por, sinqerisht, derisa të ketë stabilitet politik në Kosovë, sepse tri palë zgjedhje në 18 muaj nuk janë shenjë e mirë… ndaj, derisa të ketë më shumë stabilitet pas zgjedhjeve të qershorit, nuk pritet të ketë një rrugë të qartë përpara në procesin e integrimit euroatlantik”, thotë Shea për Exposenë.

Kosova, në më pak se një muaj, do të mbajë zgjedhjet e treta parlamentare brenda një periudhe prej një viti e gjysmë, pasi dy ciklet e mëparshme nuk arritën të prodhojnë institucione të qëndrueshme, për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.

E, Mediu argumenton se anëtarësimi në NATO nuk varet vetëm nga mbështetja amerikane, por edhe nga koordinimi politik dhe angazhimi i brendshëm i vetë Kosovës, në bashkëpunim me aleatët.

Në këtë kontekst, ai nënvizon nevojën për shtim të aktiviteteve diplomatike dhe lobuese, veçanërisht në Uashington, si dhe për reforma të strukturuara sipas standardeve të NATO-s, duke kujtuar se një rrugëtim i ngjashëm i ka paraprirë edhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në vitin 2009.

“Unë mendoj që është një nga zhvillimet më të mira që kanë ndodhur për Kosovën. Për disa arsye… sepse, po të kujtojmë historinë tonë, kështu ka filluar – me deklarata, me rezoluta në Kongresin amerikan. Në qoftë se vijmë, pastaj, në një aprovim të rezolutës në Kongres, ajo kthehet në një gjë që përcakton edhe politika të Departamentit amerikan të Shtetit apo të administratës amerikane”, thotë Mediu.

Ai shton se Shtetet e Bashkuara kanë peshë vendimtare në vendimmarrjen e NATO-s dhe se do të ishte e vështirë që disa vende anëtare t’i rezistonin presionit amerikan, nëse Uashingtoni do të këmbëngulte në anëtarësimin e Kosovës.

Gjatë mbledhjes së Komitetit për Punë të Jashtme, më 13 maj, kongresisti Self kërkoi bllokimin e 1.8 miliard dollarëve ndihmë ushtarake për Greqinë, derisa Athina ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke paraqitur edhe një amendament për ndalimin e kësaj ndihme vjetore, por që u kundërshtua nga disa përfaqësues demokratë.

Shea pajtohet se mbajtja nën presion e shteteve mosnjohëse është e rëndësishme, por shton se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm te SHBA-ja, duke theksuar nevojën për një qasje më të balancuar drejt Evropës.

“Kosova duhet të ketë një përpjekje më të balancuar lobimi dhe të lobojë po aq fort në Berlin, Paris, Londër apo Varshavë, sa edhe në Uashington. Mbështetja vetëm te Shtetet e Bashkuara mund të ketë funksionuar në të kaluarën, në vitet ‘90, por sot nuk është më një strategji efektive”, vlerëson Shea.

Në një linjë të ngjashme, edhe Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, vë në dukje kufizimet reale të ndikimit të Kongresit amerikan në këtë proces.

“Rezolutat sugjerojnë mbështetje të konsiderueshme politike për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por ato nuk e detyrojnë administratën. Presidenti mund t’i injorojë ato. Autoriteti i tij në politikën e jashtme është praktikisht i pakufizuar”, thotë Serwer për Exposenë.

Në një kohë kur rendi botëror po rishkruhet dhe balancat e sigurisë po lëkunden, Shtetet e Bashkuara po sinjalizojnë qartë edhe riorganizim të pranisë së tyre ushtarake në Evropë – deri te tërheqja e mijëra trupave nga Gjermania.

Në këtë realitet të ri, merr peshë pikërisht ajo që thekson Mediu: prania amerikane në KFOR nuk është thjesht ushtarake – është një mesazh i fortë politik për angazhimin e SHBA-së në rajon. Dhe Kosova, nëse synon ta shfrytëzojë këtë dritare gjeopolitike, duhet të dalë nga logjika e politikës ditore dhe të kalojë në veprim strategjik afatgjatë.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Kosova ka aleatë për NATO, por a e ka veten?

Kosova ka aleatë për NATO, por a e ka veten?

Dëmtohet monumenti i UÇK-së në Kaçanik, nisin hetimet

Dëmtohet monumenti i UÇK-së në Kaçanik, nisin hetimet

Termokos angazhon ish-zyrtarin e LDK-së si “ekspert” për projektin Solar4Kosovo

Termokos angazhon ish-zyrtarin e LDK-së si “ekspert” për projektin Solar4Kosovo

Synimet e Kosovës për NATO, Shea: Mbajtja e tri palë zgjedhjeve brenda pak muajsh s’është shenjë e mirë

Synimet e Kosovës për NATO, Shea: Mbajtja e tri palë zgjedhjeve brenda pak muajsh s’është shenjë e mirë

KQZ miraton formulat se si do të përbëhen këshillat e vendvotimeve dhe ekipet e numërimit të votave në QKN

KQZ miraton formulat se si do të përbëhen këshillat e vendvotimeve dhe ekipet e numërimit të votave në QKN

KQZ miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për votimin me postë jashtë Kosovës

KQZ miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për votimin me postë jashtë Kosovës

Polici i Kosovës rrëfen momentin që nuk do ta harrojë kurrë – ndonjëherë detyra e policit shkon përtej ligjit dhe rregullave

Polici i Kosovës rrëfen momentin që nuk do ta harrojë kurrë – ndonjëherë detyra e policit shkon përtej ligjit dhe rregullave

Kriza politike në Kosovë, gazeta austriake: Vendi ballkanik rrezikon humbjen e miliona eurove që jep BE-ja

Kriza politike në Kosovë, gazeta austriake: Vendi ballkanik rrezikon humbjen e miliona eurove që jep BE-ja

Këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit

Këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit

Hamza: PDK garon me numrin 125, për seriozitet, punë dhe dinjitet

Hamza: PDK garon me numrin 125, për seriozitet, punë dhe dinjitet

PSD garon me numrin 129 në zgjedhjet e 7 qershorit

PSD garon me numrin 129 në zgjedhjet e 7 qershorit

AAK garon me numrin 128 në zgjedhjet e 7 qershorit

AAK garon me numrin 128 në zgjedhjet e 7 qershorit

113 është numri i LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit

113 është numri i LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit

Radoniqi: KQZ mbetet e angazhuar që zgjedhjet e 7 qershorit të organizohen në mënyrë profesionale dhe transparente

Radoniqi: KQZ mbetet e angazhuar që zgjedhjet e 7 qershorit të organizohen në mënyrë profesionale dhe transparente

LVV garon me numrin 116 në zgjedhjet e 7 qershorit

LVV garon me numrin 116 në zgjedhjet e 7 qershorit

Pa distancë, pa censurë’’, Abdixhiku e Osmani shkojnë në Gjilan: Kosova ka nevojë për më pak zhurmë e më shumë bisedë

Pa distancë, pa censurë’’, Abdixhiku e Osmani shkojnë në Gjilan: Kosova ka nevojë për më pak zhurmë e më shumë bisedë