Në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës, janë aprovuar gjithsej 17 nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, 10 prej të cilave janë nisma për marrëveshje financiare me vende të ndryshme, ratifikimi i të cilave nuk është bërë ende nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nëse disa prej këtyre marrëveshjeve nuk ratifikohen së shpejti mund të humben miliona euro të ndara nga Bashkimi Evropian dhe institucione tjera për Kosovën.
Njëra prej nismave për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore e përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për financimin e “Projekti emergjent COVID-19 për Kosovën” (MFT), që është në vlerë prej 50 milionë dollarëve.
Për fillimin e zbatimit të projektit Banka Botërore ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Në mënyrë që të fillojë zbatimi i projektit, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore me një shumicë prej 2/3 të të gjithë deputetëve. Ne presim mbështetjen e fortë të të gjithë deputetëve në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.
Gjithashtu Zyra e Bashkimit Evropian, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, shefi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën dhe ai Bankës Botërore, me anë të një deklarate publike kanë kërkuar që të ratifikohen marrëveshjet financiare të negociuara me BE-në.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani
“Janë disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat i ka proceduar Qeveria e Kosovës, meqë këto marrëveshje kërkojnë 2/3 e votave, nuk ka disponim që këto marrëveshje të procedohen menjëherë. Ka pas mirëkuptim tek disa, ka një gatishmëri që të paktën disa prej grupeve parlamentare të ulemi e të bisedojmë që të gjejmë një zgjidhje pasi disa prej tyre kanë afat të caktuar brenda të cilit mund të përfitojmë me fonde”, tha Osmani gjatë konferencës për medie pas mbajtjes se mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu
Kosova, sipas Gërxhaliut nuk e ka tani komoditetin që të bëj garë ndërpartiake, për shkak të së cilës mund të humbë shumë vendi ynë.
“Rëndësia e ratifikimit të këtyre marrëveshjeve është e mashe, nëse vjen deri te mos-ratifikimi, atëherë dobësohet partneriteti me këto institucione, humbin mjetet e dedikuara për Kosovën dhe tu e pas parasysh faktin që në aspektin buxhetor Kosova është çdo ditë në rënie e sipër, partneriteti me këto institucione është i rëndësisë së madhe. Kosova nuk e ka komoditetin që për hir të garës ndërpartiake dhe politike, të humbë partneritetin dhe shumë mjete të dedikuara për Kosovën, qoftë nga Pakoja emergjente Evropiane por edhe nga Fondi i disa marrëveshjeve të cilat duhet të kalojnë në Parlament. E parlamenti nuk është funksional në këtë qasje dhe definitivisht Kosova është duke u ngulfatur ekonomikisht e politikisht”, tha ai për Telegrafin.
Sipas Gërxhaliut, mos-ratifikimi i këtyre marrëveshjeve rezulton me humbje të mëdha, për çka ka apeluar që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për 50 milionë të Bankës Botërore, por edhe për shumë miliona të tjerë, sepse ka mjete në dispozicion të cilat janë të dedikuara si pako Emergjente për Ballkanin Perëndimor dhe aty Kosova do të jetë përfituese, mirëpo me këtë qasje do të humbin këto mjete dhe për këtë apeloj që vërtetë të gjendet një konsensus, të ketë një unifikim dhe këto marrëveshje të ratifikohen sa më sa më shpejt që është e mundur”, tha Gërxhaliu.
Analisti i Politikave ne Institutin GAP, Berat Thaqi ka thënë për Telegrafin se megjithëse nuk kanë informacion nëse këto marrëveshje kanë afat apo jo, ato i duhen ekonomisë së vendit.
“Këto marrëveshje i duhen ekonomisë së Kosovës dhe sa më shumë që vonohen, ekonomia e vendit do të dobësohet tutje. Pra, ne duhet t’i ratifikojmë këto marrëveshje për hir të vendit dhe sa më shumë vonohemi, pasojat do të jenë ndoshta të pakthyeshme”, u shpreh Thaqi.
Thaqi tha se përveç ratifikimit të marrëveshjeve, në mënyrë që të adresohet kriza ekonomike, sociale e shëndetësore duhet të rishikohet edhe buxheti, ndërkaq për të dyja këto duhet unifikim i partive politike në Kuvend.
“Për të adresuar krizën ekonomike, sociale e shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, duhet jo vetëm ratifikim i marrëveshjeve kreditore por edhe rishikim i buxhetit të Kosovës. Për të bërë këtë, duhet unifikim i partive politike në Kuvendin e Kosovës. Shembull, për ratifikim të marrëveshjeve kreditore nevojiten 2/3 e votave në Kuvend, prandaj çfarëdo koalicioni që ka vetëm shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës, nevojitet që ta sigurojë edhe mbështetjen e opozitës në mënyrë që të adresojë krizën nga Covid-19”, tha Thaqi.
Në anën tjetër, Gërxhaliu, tha se Kosova i ka tri sfida para vetes, derisa pjesa tjetër e botës po përballet vetëm me coronavirusin.
“Duhet të kuptohet se derisa bota është duke u ballafaquar me pasojat e pandemisë coronavirus, Kosova është duke u ballafaquar me tri sfida, sfida e parë është ballafaqimi me efektet e coronavirusit, e dyta është aspekti ekonomik-social dhe e treta është jo-stabiliteti politikë që është duke e dëmtuar Kosovën në forma të ndryshme. Ajo që është aktuale është se falë këtij jo-stabiliteti politik ka ndikim të qartë në përballje me institucionet ndërkombëtare, qoftë në partneritet me Komisionin Evropian, qoftë me donatorët”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu tha se politikanët duhet ta kuptojnë që interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesin partiak, pasi Kosova po përballet me një rënie të papritur ekonomike.
“Vërtetë Kosova është duke pësuar një rënie të papritur ekonomike, vlerësojë se është koha kur partitë politike duhet ta kuptojnë të vërtetën se mbi interesat e shtetit, nuk mund të jenë interesat e partive politike, por për shtet duhet unifikim, duhet harmonizim qëndrimesh dhe definitivisht këto efektet e coronavirusit të mos humbin kohë vetëm për t’i pranuar por edhe për t’i zhvilluar. E si mund të zhvillohen Kosova nëse humbë çdo ditë e më tepër partneritetin me institucionet ndërkombëtare kredibile. Kësaj i shtohet edhe një fakt tjetër, që viteve të fundit Kosova nuk ka pasur marrëveshje kontraktuale edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore dhe vërtetë është një alarm që duhet të shohin politikanët që për shtet duhet të bëjnë më tepër sesa të flasin”, u shpreh ai.
Në një përgjigje për Telegrafin, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se përveç 17 marrëveshjeve ndërkombëtare, janë proceduar në Kuvendin e Kosovës edhe shtatë projektligje.
Lista e plotë e projektligjeve që janë proceduar në Kuvendin e Kosovës dhe Nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare:
- Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 (MFT)
- Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L- 091 (MD)
- Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e fuqizimit të sektorit financiar (MFT)
- Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan (MFT)
- Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (MFT)
- Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” (MFT)
- Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020” (MFT)
Në mbledhje të Qeverisë janë aprovuar edhe Nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare si në vijim:
- Nisma e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për negocimin e “Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimin në të Hyra dhe Kapital” në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Finlandës (MFT)
- Nisma e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për negocimin e “Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimin në të Hyra dhe Kapital” në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës (MFT)
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës (MD)
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës (MD)
- Nisma për lidhjen e “Marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Islamike të Pakistanit (MPJD)
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË), për financimin e projektit “Rritja e Kapitalit Garantues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore” (MFT)
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës (MD)
- Nisma për Anëtarësim të Republikës së Kosovës në “Fondin për mbështetje kulturore të Këshillit të Evropës EUROIMAGES” (MKRS)
- Nisma për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga virusi CORONA (COVID 19), me Institucionet Ndërkombëtare Financiare (MFT)
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (MIE)
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2020, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (MIE)
- Nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut (MIE)
- Nisma për negocimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, dhe Komisionit Evropian për “Marrëveshjen e Prokurimit të Përbashkët për Prokurimin e Kundërmasave Mjekësore” (MFT)
- Nism për lidhjen e “Marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Saint Lucia (MPJD)
- Nismës për negocimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, dhe Bankës Botërore “Për Projektin Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sektorin e Ujit” (MFT)
- Nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Shqipërisë (MIE)
- Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, dhe Bankës Botërore e përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për financimin e “Projekti emergjent COVID-19 për Kosovën” (MFT).