Kosova ende larg anëtarësimit në OBT

E publikuar: 15/05/2017 07:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është bërë gati një dekadë që autoritetet kompetente në Kosovë thonë se kanë filluar përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), por deri më tani nuk kanë aplikuar.
Por, ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se mund të ketë pasur përgatitje, por dokumentacion të gatshëm për këtë çështje nuk ka gjetur në kohën e marrjes së pozitës.

Megjithatë, Bajrami ka treguar se Ministria e Tregtisë në bashkëpunim me projekte të huaja, dokumentacionin e kanë tëgatshëm për aplikim në këtë organizatë.

Por, për kohën dhe mënyrën e aplikimit, ka thënë Bajrami, vendos Ministria e Punëve të Jashtme dhe zyra e kryeministrit të Kosovës.

Autoritetet kompetente, ka thënë ajo, ende nuk kanë marrë një qëndrim që në këtë organizatë të aplikohet si shtet vëzhgues për një periudhë, fillimisht pesëvjeçare apo për anëtarësim të rregullt.

“ Ne, si ministri, kemi punuar shumë për lobim. Unë kam pasur një sërë takimesh me anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisëdhe kam marrë mbështetjen e tyre. Por, është një vendim që duhet të merret me konsensus të plotë. Aplikacionin e kemi të gatshëm”.

“Ka opinione të ndryshme që duhet të aplikojmë si anëtar vëzhgues dhe ka të tjera që thonë se duhet të aplikojmë si anëtar me të drejta të plota”, ka thënë Bajrami.

Kosova ka disa marrëveshje për tregti të lirë më vendet rajonale dhe evropiane, por edhe anëtarësimi në OBT, vlerësohet më rëndësi nga komuniteti i biznesit për ekonominë e përgjithshme të vendit.

Por, autoritetet kompetente nuk kanë treguar gatishmëri për aplikim dhe anëtarësim në këtë organizatë, ka thënë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

“Aleanca Kosovare e Biznesit për herë të parë si organizatë biznesore ka shkelur në vitin 2010 në OBT, me seli në Gjenevë. Dhe, aty e kemi vërejtur se qeveria e mëhershme kishte pësuar debakël të madh për shkak të përfaqësimit të Kosovës në organizatë. Asnjë lëvizje në këtë drejtim nuk ka pasur. Kështu që Kosova është shumë larg anëtarësimit në këtë organizatë dhe askush nuk ka bërë asnjë hap”, ka deklaruar Shahini për Radion Evropa e Lirë

Sidoqoftë, Hykmete Bajrami ka treguar përfitimet që Kosova mund të gëzojë nga të qenët anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Kosova me Kushtetutë është ekonomi e tregut të lirë. Ne kemi marrëveshje të tregtisë së lirë me një numër të madh të shteteve të BE-së dhe CEFTA-s. Të gjitha këto marrëveshje të tregtisë së lirë, Kosovën e obligojnë që t’i zbatojë rregullat e OBT. Në një farë forme ne po zbatojmë rregullat, po paguajmë koston, por nuk po marrim benificione, sepse për t’u bërë anëtare e kësaj organizate, ka edhe përfitime të ndryshme”, është shprehur Bajrami.

Në anën tjetër, Agim Shahini, ka theksuar se i mbetet qeverisjes së ardhshme që anëtarësimi në këtë organizatë botërore të jetë një ndër prioritetet në agjendën e saj.

“Qeveritë vazhdimisht nëpër konferenca të ndryshme thonë se ne do të bëjmë, por asnjëra nga qeveritë e deritashme nuk kanë bërë asgjë për anëtarësim në OBT”, ka deklaruar ai.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.(REL)