Derisa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po shënon 70 vjetorin e saj në sesionin po ashtu të 70-të me radhë, bota po përballen me valë të madhe refugjatësh.
Këshilli i Sigurimit ndonëse është projektuar të mbajë përgjegjësinë kolektive për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, një konsensus i tillë është treguar i vështirë për t’u arritur rreth konfliktit në Siri. Edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-moon, ka pranuar se Këshilli i Sigurimit po dështon në Siri për shkak të ndarjeve të fuqive të mëdha, të cilat kanë penguar një veprim për t’i dhënë fund konfliktit që ka marrë qindra, mijëra jetë dhe ka nxitur eksodin më të madh të refugjatëve që ka parë ky brez.
Pikërisht viktimë e mosarritjes së këtij konsensusi apo thënë më konkretisht kërcënimit të vetos nga ana e Rusisë, tash mbi shtatë vjet Kosova, ndonëse një vend i njohur nga bota më progresive perëndimore, ka mbetur jashtë dhe në margjinat e organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kosova edhe këtë vit do të jetë jashtë OKB-së ndonëse liderët e saj në udhëtime veç e veç kanë ardhur pardje në New York. Objektiv i udhëtimit të sivjemë në selinë e Kombeve të Bashkuara i presidentes, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm është afirmimi i mëtejmë ndërkombëtar i Kosovës, ndërsa arritje në afatin e shkurtër konsiderohet suksesi i anëtarësimit në UNESCO dhe në INTERPOL, një synim ky që ka marrë mbështetje të shumë vendeve, e sidomos të SHBA-ve.
Sesioni i 70 i rregullt i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u hapë dhjetë ditë më parë, ndërsa debati i përgjithshëm do të zhvillohet prej sot, 28 shtator, deri më 6 tetor 2015./RTK/