Kosova e Shqipëria bashkë në Panairin e Rinisë

E publikuar: 28/09/2015 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të rinjtë nga Kosova dhe nga Shqipëria u bashkuan për të prezantuar aktivitetet e tyre dhe për të shkëmbyer përvojat mes vete

Në kuadër të kalendarit të aktiviteteve, marrëveshje kjo që u arrit muaj më parë mes Ministrisë së Kulturës,Rinisë dhe Sportit të Kosovë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, në Prishtinë u hap panairi i Qendrave Rinore 2015.

Njëzet qendra rinore nga Kosova dhe 11 nga Shqipëria për dy ditë rresht do të mund të ndajnë përvojat e tyre përmes aktiviteteve të ndryshme që kanë pasur. E krejt kjo ka për qëllim që të rrisë bashkëpunimin në këtë fushë mes dy vendeve, që në të ardhmen, të bashkuar, të jenë edhe më të fuqishëm në aktivitet rinore.

Implementues i këtij aktivitet, që u hap sot, është Rrjeti i Qendrave Rinore të Kosovës. Përfaqësuesja e kësaj organizate, Krenare Gashi tha se përmes këtij organizimi synojnë që rinia e të dy vendeve të njihet e afrohet më shumë.

“I gjithë qëllimi i këtij organizimi konsiston në faktin se sa më shumë të njohim njëri tjetrin, ne si qendra rinore nga Kosova dh e Shqipëria, sepse besoj fuqishëm se kemi çka të prezantojmë dhe kemi edhe shumë aktivitete në të ardhmen me të cilat bashkërisht do të jemi më të fuqishëm”, tha ajo.

Përfaqësuesja nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Jehona Roga duke treguar për aktivitetet e mbajtura këtë vit, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, tha se beson që të dy vendet do të ndërtojnë një partneritet të mirëfilltë.

“Me besimin që dy vendet tona do të kenë një partneritet të mirëfilltë, shoqatat do jenë sa më bashkëpunuese mes vete, që të jemi sa më aktivë në programet e rinisë në kuadër të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Panairi i Rinisë që po mbahet në kuadër të Muajit të Rinisë dhe financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Hapjen e panairit, në emër të ministrit Kujtim Shala, e përshëndeti këshilltari i tij për rini, Faton Peci.

“Po vazhdojmë me hapjen e panairit,ku si një pjesë e shprehjes së bashkëpunimit, fillimisht do të thoja mbarëshqiptar, meqenëse kemi hyrë në një vlug të punës së aktiviteteve rajonale dhe ndërkombëtare të shkëmbimeve rinore”, tha ai.

Panairi i Rinisë 2015, që u hap sot në orët e paradites, do të zgjasë dy ditë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.