Komisioni ndërministror i projektit për ndërtimin e Termocentralit (TC) “Kosova e Re” në fund të këtij muaji do të takohet me investitorin amerikan “Contour Global”, për të marrë dritën e gjelbër realizimi i projektit të ndërtimit të TC “Kosova e Re”. Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, gjatë raportimit të tij lidhur me sektorin e energjisë, para anëtarëve të Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri.
Ai ka thënë se prioritet dhe qëllim final kanë sigurimin e furnizimit me energji elektrike dhe se në këtë drejtim kanë bërë një zgjidhje të kombinuar që lidhet me veprimet dhe burimet.
“Veprimi jonë i kombinuar është që duhet të ketë ndërtim të kapaciteteve të reja dhe mundësi të gjenerimit të kapaciteteve ekzistuese. Për dy muaj e gjysmë kemi bërë negociata të vështira që na kanë marrë shumë kohë për të ardhur deri te e përbashkëta, sepse kemi dashur që t’i mbesim besnik prioriteteve tona, se po aq sa është i rëndësishëm sigurimi i furnizimit me energji elektrike, është i rëndësishëm përballimi i çmimit të saj nga qytetarët”, ka thënë Stavileci.
Ai ka theksuar se gjatë diskutimeve me investitorin në këto dy pika nuk kanë lëshuar pe, ndërsa në fillim të muajit të ardhshëm do të vendosin për hapa të mëtutjeshëm.
Muhamet Mustafa, ka thënë se sektori i energjisë është i rëndësishëm që ndërlidhet me zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka theksuar se projektet e energjisë elektrike të shkojnë së realizuari deri në fund, sepse janë të rëndësishme për Kosovën.
“Kemi pritur një progres më të shpejtë te energjia. Si komision jemi të interesuar që sa më shpejt ta kemi strategjinë e energjisë në tavolinë, ta diskutojmë atë dhe t’i zgjedhim dilemat që i kemi. Ne nuk duhet të vijmë në një situatë kur furnizimi të bëhet nga importi, sepse do ta rritë çmimin e energjisë dhe kufizim tjetër është që koston e energjisë që nuk mund ta përballojnë qytetarët mos t’i bie barrë buxhetit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Anëtarët e Komisionit kanë kërkuar nga ministri Stavileci që sa më shpejtë të përfundojë procesi lidhur me tenderimin me operatorin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
“Dilema e madhe është se fundi i vitit po na gjen pa realizuar asnjë projekt në energji. Po ashtu dilemë është se si do të na gjejë fundi i vitit 2016. A do të na gjejë pa kapacitete të reja? A do të na gjejë pa gjenerim të kapaciteteve ekzistuese? Nuk po bëhemi gati që ta ndërtojmë një strategji se si do të gjejmë burime financiare për projektin e gjenerimit të burimeve ekzistuese”,ka thënë Fatmir Rexhepi, anëtar i Komisionit, nga radhët e LDK-së.
Ndërsa, anëtari i komisionit, Besim Beqaj, (PDK) ka theksuar se në kohën kur po diskutojnë për investime të mëdha, në anën tjetër po dërgojnë mesazhe të këqija politike, të cilat nuk kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.
“Qe një vit nuk jemi duke prodhuar lajme politike jo të mira, të cilat dekurajojnë investitorët. Jemi duke dhënë informata se vendi nuk është në kuptimin e stabilitetit të plotë politik, i cili ndikon direkt në ekonomi”, ka thënë Beqaj.