Kosova do të luajë miqësore me Hungarinë

E publikuar: 29/01/2024 21:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kombëtarja e Kosovës do të luajë një ndeshje miqësore me Hungarinë, kombëtare e cila do të garojë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Lajmi është bërë i ditur këtë të hënë nga Federata e Futbollit e Hungarisë.

Nga Federata hungareze u bë e ditur se ekipi i tyre do të luajë edhe ndaj Turqisë, Irlandës dhe Maltës.

Në njoftim thuhet se “kontratat lidhur me ndeshjet nuk janë nënshkruar ende, disa detaje të vogla mbeten ende për t’u sqaruar dhe sapo të ndodhë kjo, do të konfirmohen menjëherë datat dhe vendet e ndeshjeve”.

Gjithsesi, ndeshja e Kosovës ndaj Hungarisë besohet se do të zhvillohet në muajin mars.

Kujtojmë se “Dardanët” ende nuk e kanë zyrtarizuar trajnerin e ri, i cili do të udhëheq ekipin fillimisht në miqësoret e marsit, e pastaj edhe në miqësoret e ndeshjet e ardhshme zyrtare.