Kosova do ta mësojë nesër emrin e kundërshtarit të “play-offit” të Ligës së Kombeve

E publikuar: 21/11/2024 21:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë javë u kompletuan grupet e Ligës së Kombeve, por kjo nuk nënkupton se gjithçka ka marrë fund edhe për Kosovën.

Nga ky edicion është përfshirë edhe faza e “play-offit”, ku do të marrin pjesë edhe Dardanët.

Kosova e mbylli Grupin 2 të Ligës C në vendin e dytë, prandaj edhe do të luajnë në këtë fazë për ta kërkuar inkuadrimin në Ligën B.

Në fazën e “play-off” do të bëjnë pjesë katër Kombëtare që përfunduan në vendin e dytë në grupet përkatëse të Ligës C dhe katër të tjera që përfunduan në vendin e tretë në grupet e tyre në Ligën B.

Shorti për “play-off” do të hidhet këtë të premte, më saktësisht nesër nga ora 12:00.

Kurse, ndeshjet e kësaj faze do të luhen vitin tjetër, respektivisht më 20 dhe 23 mars 2025.

Pasi Shqipëria përfundoi e katërta në grupin e saj dhe ra në Ligën C, tashmë janë zbuluar edhe emrat e katër kundërshtarëve të mundshëm të Dardanëve.

Bëhet fjalë për Gjeorgjinë, Slloveninë, Islandën dhe Irlandën, që janë në opsion për t’u përballur me ekipin e Franco Fodës.

Kosova i regjistroi 4 fitore dhe e pësoi 2 humbje në grupin e saj duke i grumbulluar 12 pikë, gjashtë më pak se liderja, Rumania.

UEFA vendosi dje për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht të premten e kaluar mes Rumanisë dhe Kosovës, duke ua dhënë fitoren në tavolinë rumunëve.

Synim i Dardanëve ishte ta mbyllnin grupin në vendin e parë, por ata përfunduan në atë të dytë.