Kosova dje nuk hyri në agjendën e ministrave të KiE-së

E publikuar: 15/05/2024 07:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka shprehur zhgënjim se në takimin e djeshëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nuk u trajtua çështja e anëtarësimit të Kosovës.

Takimi, që u mbajt në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, la jashtë fokusit rekomandimin e fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Edhe pse ka një mbështetje të gjerë për të vendosur çështjen e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në agjendën e takimit ministror që do të mbahet më 17 maj, kërkesa e disa vendeve që Kosova të pranojë draft statutin e propozuar nga Mirosllav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka krijuar një pengesë.

Këto vende kërkojnë që statuti të pranohet në një mënyrë që do të jetë e pranueshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, një kërkesë që përfundimisht ka shtyrë debatin për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Zëvendësministri Ahmeti ka theksuar se në dy vitet e fundit, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës:

Në shtator të vitit 2022, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës konfirmoi se Kosova si shtet evropian nuk ka asnjë pengesë ligjore që të bëhet anëtare e plotë në bazë të nenit 4.