Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshjet në Samitin e Berlinit

E publikuar: 03/11/2022 13:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor sot në Berlin kanë nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Samitit që po mbahet për vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e Procesit të Berlinit.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes (me letërnjoftime), njohjen e institucioneve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesi i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ndryshe, kancelari gjerman, Olaf Scholz në hapjen e punimeve të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ka thënë se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj.

“Ju gjashtë vendet e Ballkanit i përkisni Evropës së lirë dhe të plotë dhe anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë. Premtimi për të ardhmen evropiane për juve është punë e jona për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot”, ka thënë Scholz.

Scholz më tej foli edhe për raportet Kosovë-Serbi derisa tha se duhet të përshpejtohet procesi i normalizimit të raporteve mes të dyja vendeve.