Në Odën Ekonomike të Kosovës sot u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairí O’Connell, ndërsa pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.
Ministri i Financave Avdullah Hoti duke vlerësuar lart nënshkrimin e marrëveshjes tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me shtetet me të cilat ka bashkëpunim ekonomik dhe me vendet ku është e përqendruar diaspora kosovare, të arrijë marrëveshje të tilla”.
“Britania e Madhe është njëri ndër shtetet i cili ka dhënë kontribut të madh në ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit të Kosovës. Kjo Marrëveshje është dëshmia më e mirë se sa kemi përparuar në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Gjithashtu ne besojmë se kjo marrëveshje do të ndikoj edhe më shumë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik e sidomos në ngritjen e investimeve të bizneseve britanike në Kosovë”, tha Ministri Hoti.
Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairí O’Connell, tha: “Së bashku me Ministrin Hoti kemi dashur që nënshkrimi të bëhet sa më afër bizneseve sepse ata janë përfitues. Jam i sigurt se kjo Marrëveshje do të shërbejë në inkurajimin e mëtutjeshëm të tregtisë dhe investimeve bilaterale”.
“Thithja e investimeve të huaja dhe përmirësimi i bilancit tregtarë janë gjëra që Kosova duhet ti adresojë me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe prosperitetit të qytetarëve të saj. Kjo marrëveshje gjithashtu përmban masa mbrojtëse të rëndësishme për parandalimin e evazionit fiskal, që tregon për përkushtimin tonë të përbashkët drejt mbrojtjes së të ardhurave kombëtare”, tha Ambasadori O’Connell.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu u shpreh se “Në kalendarin e aktiviteteve të Odës Ekonomike të Kosovës të cilat janë të shumta nënshkrimi i marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është krye aktiviteti që do të karakterizojë këtë vit. Dua të besoj që është një marrëveshje e cila do të gjeneroj rezultate pozitive multiplikative në interes të zhvillimit ekonomik të Kosovës por edhe në forcimin e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar”.
“Një marrëveshje e tillë hap mundësi të reja të bashkëpunimit ekonomik dhe një marrëveshje me përparësi psikologjike për inkurajimin e investitorëve të huaj në veçanti nga Mbretëria e Bashkuar për të investuar në Kosovë. Pa anashkaluar rëndësinë e përmirësimit të imazhit të Kosovës për investitorë të huaj sepse që nga sot edhe Kosova është në grupin e shumë shteteve të fuqishme ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar që kanë marrëveshje të tillë në fuqi”, tha në fund kryetar i OEK-ut Safet Gërxhaliu.